Autoriteti i Konkurrencës urdhëroi të premten operatorët celularë në vend të pezullojnë menjëherë shtrenjtimin e paketave mujore të komunikimit për abonentët me parapagesë.
Sipas vendimit, shtrejtimi i njëkohshëm i paketave nga të tre operatorët mund të përbëjë marrëveshje të ndaluar dhe njëkohësisht të rrezikojë dëme të rënda për konkurrencën në treg. Në rast të moszbatimit të vendimit, kompanitë e telefonisë celulare mund të gjobiten deri në 10% të xhiros së vitit financiar paraardhës.
Me një vendim paralel, Autoriteti i Konkurrencës ka hapur edhe një hetim paraprak në tregun e telefonisë celulare në vend, për periudhën 1 nëntor 2019 – 31 mars 2020. Detyrimi për të pezulluar rritjen e çmimeve të paketave mujore do të qëndrojë në fuqi deri në mbylljen e hetimit.
Shtrenjtimi i paketave standarde nga operatorët celularë u njoftua nga sfidabiznesi.net më datë 22 janar.
Tre operatorët e telefonisë celulare në vend, Vodafone Albania, Telekom Albania dhe Albtelecom shtrenjtuan me nga 200 lekë paketat mujore të komunikimit mes fundit të muajit janar dhe fillimit të muajit shkurt.
Njëkohësisht, të tre operatorët rritën vlerën e rimbushjes minimale për abonentët me parapagesë nga 100 lekë në 200 lekë. Madje, operatori Telekom Albania e aplikoi rritjen e çmimeve pa njoftim publik paraprak, në shkelje të detyrimeve rregullatore.
Rritja e çmimeve të paketave mujore në të njëjtat përmasa dhe pothuajse në të njëjtën kohë tregon se operatorët celularë, me shumë të ngjarë, kanë vepruar në mënyrë të bashkërenduar, çka do të përbënte marrëveshje të ndaluar në kuptimin e ligjit “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”.
Nëse hetimi i Autoritetit të Konkurrencës do të provojë ekzistencën e një marrëveshjeje të ndaluar, operatorët do të gjobiten deri në 10% të xhiros vjetore.