19 Mars

0 komente

Autoriteti i Konkurrencës urdhëron ndërprerjen e abuzimit me çmimet e maskave dhe dezinfektantëve

Autor Ersuin Shehu

19 Mars, 2020


Autoriteti i Konkurrencës vendosi të mërkurën hapjen e hetimit paraprak në tregun e materialeve paramjekësorë dhe njëkohësisht urdhëroi, si masë të përkohshme, ndërprerjen e rritjes abuzive të çmimeve nga ndërmarrjet që operojnë në këtë treg.

Detyrimi përfshin të gjithë zinxhirin e tregtimit të këtyre materialeve, që nga importuesit, depot farmaceutike dhe deri tek farmacitë.

Me qëllim shmangien e abuzimit në zinxhirin e tregtimit, Autoriteti ka urdhëruar detyrimin e të gjitha ndërmarrjeve që veprojnë në tregun e importit dhe shitjes me shumicë të materialeve paramjekësore të jenë transparente në vendosjen e çmimit të shitjes së materialeve dezinfektant, alkool dhe maska.

Këto subjekte duhet të aplikojnë çmime të orientuara drejt kostos dhe t’i publikojnë ato në faqet e internetit apo në kanalet e tjera të komunikimit. Masat e përkohshme do të jenë të vlefshme deri në në përfundim të procedures hetimore.

Në rast të moszbatimit të vendimit për masa të përkohshme, ndërmarrjet që do të konstatohen në shkelje do të ndëshkohen me gjobë deri në 10% të xhiros vjetore, për shkelje të rëndë të konkurrencës.

Pas shfaqjes së rasteve të para të rasteve me virusin Covid 19, në tregun shqiptar u vërejt rritje e çmimeve të maskave, dezinfektantëve dhe alkoolit. Nga verifikimi në terren i kryer prej Autoritetit të Konkurrencës, është arritur në përfundimin se rritja e çmimeve në të gjitha nivelet e tregtimit të këtyre materialeve është abuzive dhe e pajustifikuar.

Në këto kushte, Komisioni i Konkurrencës ka arritur në përfundimin se ekzistojnë dyshime të arsyeshme për sjellje antikonkurruese dhe ka vendosur të hapë një hetim paraprak. Raporti i hetimit pritet të paraqitet brenda dy muajve.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes