Dominanca e Vodafone në tregun me pakicë të telefonisë celulare është bërë një “patate e nxehtë” që AKEP dhe Autoriteti i Konkurrencës duan t’i lënë njëri-tjetrit. Autoriteti i Konkurrencës gjykon se plotësohen të gjitha kushtet që kjo ndërmarrje të jetë objekt masash rregullatore në tregun me pakicë. Nga ana tjetër, AKEP mbron qëndrimin se vendosja nën rregullim e tregut me pakicë bie ndesh me praktikat e rregullatorëve europianë dhe se Autoriteti i Konkurrencës i ka të gjitha mjetet ligjore për të provuar dhe ndëshkuar abuzime të mundshme me pozitën dominuese nga Vodafone Albania.
Autoriteti i Konkurrencës ngelet i mendimit se rregullimi i tregjeve celulare nga AKEP është i pamjaftueshëm dhe nuk garanton konkurrencë efektive. I pyetur nga sfidabiznesi.net, ky institucion shprehet se i qëndron plotësisht rekomandimeve të vitit të kaluar, që kërkojnë vendosjen në rregullim të tregut me pakicë të telefonisë celulare, njëkohësisht me tregun e akses-origjinimit. Kjo do të nënkuptonte vendosjen e detyrimeve rregullatore dhe kontrollin e tarifave ndaj operatorit Vodafone Albania, që sipas Autoritetit të Konkurrencës ka dominancë në tregun me pakicë.
Megjithatë, në muajin nëntor, Autoriteti i Konkurrencës i dërgoi AKEP edhe nje rekomandim tjetër, ku kërkonte që, para marrjes së vendimit final për tregjet me shumicë të aksesit dhe origjinimit në rrjetet celulare, të vlerësonte edhe komentet e bëra nga Vodafone Albania, si edhe rekomandimet e Komisionit Europian për analizën e tregjeve dhe vlerësimin e fuqisë së ndjeshme.
Më datë 24 prill, Këshilli Drejtues i AKEP vendosi të mos përcaktojë sipërmarrës me fuqi të ndjeshme dhe të mos vendosë detyrime rregullatore në tregun me shumicë të akses-origjinimit në rrjetet celulare. Ky vendim, në fakt, bie ndesh edhe me konkluzionet e analizës së fundit të këtij tregu, që AKEP e hodhi në konsultim publik në prill të vitit të kaluar dhe që propozonte shpalljen e Vodafone Albania operator me fuqi të ndjeshme në tregun në fjalë. Analiza e tregut nuk është miratuar ende sot e kësaj dite, megjithëse ka më shumë se një vit që u nxorr për konsultim publik. Është e arsyeshme të mendohet se mbajtja pezull e vendimit dhe përmbysja e konkluzioneve lidhet me një presion të fortë politik të ushtruar nga Vodafone Albania.
Vendimi për të mos marrë masa rregullatore në tregun me shumicë të akses-origjinimit është i rëndësishëm edhe për shkak të ndërlidhjes vertikale që ky treg ka me tregun me pakicë. Mosvendosja në rregullim e tregut të akses-origjinimit praktikisht e rrëzon kërkesën që Autoriteti i Konkurrencës po artikulon në mënyrë të përsëritur prej vitesh, për të vendosur nën rregullim edhe tregun me pakicë dhe për të shpallur Vodafone Albania Operator me Fuqi të Ndjeshme në Treg (OFNT).
Sipas argumentimit të AKEP, tre kriteret që do të justifikonin vendosjen e tregut përkatës nën rregullim nuk plotësohen. Sipas direktivës përkatëse të Bashkimit Europian, vendosja nën rregullim e tregut do të justifikohej nëse ekzistojnë barriera të qëndrueshme hyrëse, nëse tregu nuk është i orientuar drejt konkurrencës dhe nëse ligji i konkurrencës është i pamjaftueshëm.
AKEP shprehet se ligji i konkurrencës është i mjaftueshëm, duke sjellë si shembull vendimin e shkurtit të këtij viti, kur Autoriteti i Konkurrencës urdhëroi operatorët të pezullonin rritjen e njëkohshme të çmimeve të paketave. AKEP lë të kuptohet se tregu me pakicë duhet të jetë objekt i masave ex-post nga Autoriteti i Konkurrencës, nëse ky institucion konkludon se ka pasur abuzim nga operatorët me pozitë dominuese.
I pyetur nga sfidabiznesi.net për vendimin e mësipërm të AKEP, Autoriteti i Konkurrencës shprehet se, “përderisa AKEP me vendimin nr. 9/2020 e vlerësoi si të paplotësuar testin e tre kritereve, i ngelet AKEP-it që në analizën e ardhshme të tregut t’i analizojë ato ex-post”.
Gjithashtu, ky institucion përsërit se i qëndron plotësisht rekomandimeve të shprehura në korrik të vitit të kaluar.
Autoriteti i Konkurrencës kërkon në mënyrë eksplicite nga AKEP të realizojë analizën e tregut të pakicës të shërbimeve celulare për të ndërmarrë masat e nevojshme rregullatore për rregullimin e këtij tregu, për përcaktimin e ndërmarrjes “Vodafone Albania” OFNT në tregun me pakicë të shërbimeve celulare dhe vendosjen e masave rregullatore përkatëse.
Gjithashtu, nga AKEP kërkohet vendosja nën rregullim e tarifave të shërbimeve celulare me pakicë për ndërmarrjen me fuqi të ndjeshme, për nxitjen e konkurrencës efektive në këtë treg, pa pritur rezultatet e rregullimit të tarifave të tregut të akses – origjinimit.
Gjithashtu, Autoriteti i Konkurrencës kërkon krijimin e lehtësirave për hyrjen në treg të MVNO-ve, duke vendosur detyrime të qarta për ndërmarrjen me FNT për akses dhe interkoneksion dhe përdorimin e përbashkët të faciliteteve të rrjetit.
Megjithëse në praktikën aktuale të rregullatorëve europianë të telekomunikacioneve, nuk ekzistojnë shembuj të vendosjes në rregullim të tregjeve me pakicë, Autoriteti i Konkurrencës në Shqipëri prej vitesh këmbëngul që ky treg tek ne duhet rregulluar, për të mos lejuar praktika antikonkurruese nga kompania Vodafone Albania dhe për të mos sjellë dalje të tjera nga tregu, siç ndodhi me Plus Communication.
Mbështetur në të dhënat më të fundit zyrtare te AKEP, në vitin 2018 Vodafone Albania zotëronte gati 55% të tregut sipas totalit të të ardhurave dhe rreth 52% të tregut sipas trafikut të thirrjeve, mesazheve të shkruara dhe të dhënave (data).
Këto shifra dëshmojnë qartë pozitën dominuese të Vodafone Albania në tregun me pakicë të shërbimeve celulare.