6 Mars

0 komente

Autoriteti i Konkurrencës: FSHF ka abuzuar me të drejtën televizive dhe çmimin e biletave

Autor Ersuin Shehu

6 Mars, 2020


Federata Shqiptare e Futbollit ka abuzuar me pozitën dominuese, duke ndjekur praktika përjashtuese në shitjen e të drejtave televizive dhe duke vendosur çmime abuzive të biletave për ndeshjet e ekipit kombëtar.

Pas një hetimi të thelluar, Autoriteti i Konkurrencës ka arritur në përfundimin se FSHF ka shkelur ligjin “Për mbrojtjen e konkurrencës” përmes veprimeve të mësipërme. Sidoqoftë, vendimi ende nuk është zyrtarizuar, sepse në seancën dëgjimore të zhvilluar në dhjetor 2019 FSHF ka kërkuar kohë për t’u shprehur në lidhje me gjetjet e raportit të hetimit.

Komisioni i Konkurrencës i ka kërkuar FSHF-së që të marrë angazhime për të rregulluar këtë treg dhe vendimi final i hetimit pritet të merret këtë vit.

Nga hetimi i kryer, Komisioni i Konkurrencës ka konkluduar se abuzimi me pozitën dominuese është bërë nga “shitja e të drejtës audiovizive tek një operator i vetëm për një periudhë 7-vjeçare, duke përfshirë në një paketë të vetme të gjitha të drejtat ekskluzive, duke u bërë përjashtuese për operatorët e tjerë, si edhe me çmime të larta të shitjes së biletave krahasuar me rajonin.”

Që nga viti 2015, të drejtat e aktiviteteve kryesore kombëtare, Superliga dhe Kupa e Shqipërisë, i janë shitur me një kontratë të përbashkët dhe ekskluzive platformës Digitalb, fillimisht me një kontratë tre vjeçare, e më pas me një kontratë të re katërvjeçare.

Në vlerësimin e kontratës së të drejtës televizive, Autoriteti i Konkurrencës i është referuar praktikave të ndjekura nga Komisioni Europian lidhur me këto paketa. KE ka përcaktuar se të drejtat ekskluzive duhet të reduktohen në fushëveprim dhe në kohëzgjatjen e ekskluzivitetit.

Për Ligën e Kampionëve, Komisioni ka pranuar kontrata me kohëzgjatje jo më shumë se tre vjet, ku të drejtat janë ndarë dhe u janë shitur operatorëve të ndryshëm.

Në të kundërt, FSHF jo vetëm që nuk ka bërë ndarje të paketës mes kompeticioneve të ndryshme futbollistike, por së vitin 2018 ka lidhur një kontratë katërvjeçare me platformën Digitalb. Aktualisht, 9.23% të aksioneve në shoqërinë Digitalb zotërohen nga AIBA, kompani në pronësi të presidentit të FSHF-së, Armand Duka.

Lidhur me vlerësimin e sjelljes në lidhje me çmimin e biletave, në mungesë të një modeli të kostos të detajuar të shërbimeve, është përdorur alternativa krahasuese si një nga metodat kryesore të hetimit atë të krahasimit me vende të tjera të rajonit.  

Çmimet e biletave të miratuara nga FSHF janë më të larta se Maqedonia, Kosova, dhe Serbia, si vende me nivel të Produktit të Brendshëm Bruto (GDP) dhe të ardhura për frymë të krahasueshme me Shqipërinë.

Abuzimi me pozitën dominuese përbën shkelje të rëndë të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës” dhe mund të ndëshkohet me gjobë deri në 10% të xhiros së vitit paraardhës. Ndonëse FSHF nuk ka statusin e ndërmarrjes ekonomike, por të organizatës jo-fitimprurëse, përgjegjësia ligjore në rast të shkeljes së ligjit të konkurrencës është e njëjtë.  

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes