Autoriteti i Konkurrencës ka autorizuar, por me kushte, blerjen e Abcom nga Vodafone Albania. Mbështetur në vendimin e Komisionit të Konkurrencës, nga shoqëria blerëse kërkohet shprehimisht mosabuzimi me pozitën dominuese, nëpërmjet vendosjes së çmimeve të padrejta; vendosjes së palëve të treta në kushte të pabarabarta për veprime tregtare të njëjta; si edhe, përmes vendosjes së kushteve për lidhjen e kontratave me palët e tjera, ku këto të fundit të pranojnë detyrime shtese, të cilat nuk kanë lidhje me objektin e kontratave në fjalë.
Pas përthithjes së Abcom, Vodafone Albania do të jetë e detyruar të ndajë llogaritë ekonomike për shërbimet e telefonisë fikse dhe celulare, çka do të bëjë të mundur evidentimin e burimit të gjenerimit të të ardhurave.
Aktiviteti i dy kompanive do të jetë objekt i monitorimit të Autoritetit të Konkurrencës për një periudhë njëvjeçare. Dy kompanitë do të jenë gjithashtu të detyruara të njoftojnë paraprakisht pranë Autoritetit të Konkurrencës për të gjitha ndryshimet që do të kryejnë në paketat ekzistuese dhe paketat e reja që do të hedhin në treg, gjatë periudhës së monitorimit.
Autoriteti i Konkurrencës i ka rekomanduar Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) që të miratojë paraprakisht çdo paketë të re që përmban shërbime të kombinuara në tregun e telefonisë celularë, fikse dhe shërbimin e internetit. Ofruesit e paketave duhet të deklarojnë çmimin për njësi shërbimi që paketat do të përmbajnë.
Blerja e Abcom nga Vodafone Albania është një transaksion që nuk sjell përqendrime domethënëse horizontale (me përjashtim të një përqendrimi shumë të lehtë në tregun e linjave me qira), pasi kryesisht këto dy kompani operojnë në tregje të ndryshme.
Sipas analizës së Autoritetit të Konkurrencës, shqetësimet kryesore në rastin e transaksioneve të tilla lidhen me efektet konglomerate. Pas blerjes së Abcom, Vodafone mund të kombinojë produktet, duke shfrytëzuar pozicionin e fortë në njërin treg për të influencuar në tregun tjetër, kryesisht me anë të ofertave ose paketave që përfshijnë njëkohësisht shërbime të rrjeteve celulare dhe atyre fikse.
Kjo është edhe arsyeja kryesore pse blerësit i është vendosur detyrimi për ndarjen e llogarive dhe i është rekomanduar AKEP miratimi paraprak i paketave të përbashkëta.
Megjithatë, Autoriteti i Konkurrencës, duke iu referuar udhëzimeve dhe praktikave të Komisionit Europian, shprehet se përqendrimet konglomerate përgjithësisht nuk shkaktojnë probleme të konkurrencës.
Autorizimi i dhënë nga Autoriteti i Konkurrencës ishte kushti i fundit ligjor, që i hap rrugë finalizimit të transaksionit në fjalë. Kontrata e shitblerjes së 100% të aksioneve Abcom nga Vodafone Albania u nënshkrua në tetor të vitit të kaluar.
Vodafone Albania është operatori më i madh i shërbimeve të komunikimit të lëvizshëm në vend. Mbështetur në të dhënat e AKEP, në fund të vitit 2019 Vodafone zotëronte 48% të tregut, sipas numrit të përdoruesve aktivë të shërbimeve celulare.
Abcom është operatori i dytë më i madh në shërbimin e internetit me linja fikse. Në fund të vitit 2019, Abcom deklaronte rreth 75 mijë abonentë ose rreth 17.5% të numrit total të abonentëve me akses broadband nga rrjetet fikse.
Autoriteti i Konkurrencës, në analizën e përqendrimit, shprehet se hyrja e Vodafone në tregun e shërbimeve fikse pritet të sjellë konkurrencë të shtuar ndaj operatorit më të madh, Albtelecom, i cili është i vetmi që zotëron njëkohësisht rrjete celulare dhe fikse.