Ansig ka rritur kapitalin aksioner dhe ka dalë nga “lista e zezë” e kompanive që ishin të nënkapitalizuara, sipas kërkesave mbikëqyrëse të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare. Në muajin qershor, Ansig zmadhoi kapitalin aksioner me 220 milionë lekë, duke çuar atë në vlerën totale të 834 milionë lekëve.
Sipas vlerësimeve të auditit në opinionin për pasqyrat financiare të vitit 2019, kapitali neto i Ansig në fund të vitit të kaluar ishte 176 milionë lekë, nga 370 milionë lekë që është kërkesa minimale e përcaktuar në ligjin organik të aktivitetit të sigurimeve.
Me shtesën prej 220 milionë lekësh të derdhur në muajin qershor, vlerësohet se Ansig është tashmë brenda kërkesave rregullatore për parametrin në fjalë.
Paralelisht, Ansig rezultonte gjithashtu poshtë nivelit të kërkuar për treguesin e aktiveve në mbulim të provigjioneve teknike, në nivelin 73%, nga 100% që është kërkesa ligjore. Me rritjen e kapitalit, edhe ky tregues vlerësohet të jetë përafruar me nivelin e kërkuar rregullator.
Tashmë, të vetmet kompani që ngelen të nënkapitalizuara sipas vlerësimit të AMF-së janë Eurosig dhe Insig. Eurosig ka hapur një çështje ligjore ndaj rregullatorit të tregut dhe e ka fituar atë në dy shkallët e gjykimit administrativ.
Bilanci i vitit 2019 tregoi se Ansig regjistroi sërish një vit negativ për sa i takon performancës financiare. Humbjet neto arritën në 39 milionë lekë, nga 33 milionë lekë që kishin qenë një vit më parë. Në total, humbjet e mbartura në bilanc arritën vlerën e 251 milionë lekëve ose rreth dy milionë eurove. Mes kompanive të sigurimit që kanë publikuar tashmë pasqyrat financiare, Ansig është e vetmja që rezultoi me humbje për vitin 2019.
Sipas pasqyrave financiare të kompanisë, totali i aktiveve në fund të vitit të kaluar arriti në 1.37 miliardë lekë, në rritje me rreth 9% krahasuar me vitin 2018. Gjatë vitit 2019, Ansig zotëronte 7.4% të primeve të shkruara bruto në tregun e sigurimeve të jo-jetës, duke u renditur e gjashta nga tetë kompani në treg. Pothuajse 80% e primeve të arkëtuara nga Ansig erdhën nga sigurimet e detyrueshme.