10 Janar

0 komente

Amryta Capital do të bëhet aksioneri më i madh në Credins Bank

Autor Ersuin Shehu

10 Janar, 2020


Kompania e regjistruar në Britaninë e Madhe, Amryta Capital, do të bëhet aksioneri kryesor në Credins Bank. Në fillim të dhjetorit, Banka e Shqipërisë ka miratuar rritjen e pjesëmarrjes influencuese të aksionerit në fjalë nga 14.9% në 23.2%. Rritja e pjesëmarrjes së Amryta Capital do të bëhet përmes blerjes së aksioneve nga aksionerë ekzistues.

Ndërkohë, paralelisht Credins është në proces të rritjes së kapitalit me 24 milionë euro, rritje e miratuar nga asambleja e aksionerëve në muajin tetor. Kapitalizimi synon të mbështesë rritjen e mëtejshme të bankës dhe sidomos projektin e hyrjes në tregun kosovar. Credins mori miratimin paraprak nga Banka Qendrore e Kosovës në dhjetor të vitit të kaluar.

Mbështetur në të dhënat e Qendrës Kombëtare të Biznesit, aktualisht Amryta Capital LLP zotëron direkt në Credins Bank 3.08% të aksioneve, ndërsa 15.38% kontrollohen përmes B.F.S.E Holding, shoqëri e regjistruar në Hollandë.

Amryta Capital është një shoqëri holding e regjistruar në Britaninë e Madhe. Aksioneri kryesor në Amryta Capital është kompania Parker Lloyd Limited, ndërsa kontrollues fundor është familja britanike me origjinë indiane, Mehta.

Mbështetur në të dhënat e regjistrit britanik të biznesit, personi kyç në menaxhimin e ndërmarrjeve të familjes është sipërmarrësi Rahul Mehta.

Prej më shumë se një dekade, aksioneri kryesor në Credins Bank është biznesmeni Renis Tërshana, që aktualisht zotëron 21.9% të aksioneve.

Credins Bank është banka e tretë më e madhe në tregun shqiptar. Në fund të shtatorit 2019, Credins mbante 14.4% të tregut, për një vlerë totale asetesh prej 210 miliardë lekësh ose 1.7 miliardë eurosh.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes