Shqiptarët mund të legalizojnë paratë ose pasuritë e tjera të fshehura kundrejt pagesës së një tatimi prej 5%. Ministria e Financave dhe Ekonomisë hodhi për konsultim projektligjin për “Amnistinë fiskale dhe penale për subjektet që bëjnë deklarim vullnetar të pasurive”. Projektligji parashikon një tatim të përshkallëzuar, për të nxitur deklarimin sa më të shpejtë të pasurive të fshehura ose të paformalizuara.
Ata që deklarojnë në katër muajt e parë do të paguajnë një tatim prej 5%, ata që deklarojnë në katër muajt e dytë do të paguajnë një tatim prej 7% ndërsa ata që deklarojnë në katër muajt e fundit do të paguajnë 10%.
Deklarimi i pasurive do të bëhet pranë një njësie speciale në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, që do të ngrihet enkas për këtë qëllim.
Dispozitat e ligjit janë të vlefshme edhe për riatdhesimin e pasurive, përfshi ato në para, që ndodhen jashtë shtetit.
Nga ky ligj nuk do të përfitojnë funksionarët publik që janë subjekt i legjislacionit për deklarimin e pasurisë, përfshi këtu edhe familjarët e tyre. Gjithashtu, nga ky ligj nuk përfitojnë individët subjekt i legjislacionit anti-mafia dhe të atij kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Qeveria shqiptare ka vendosur ta çojë përpara këtë projekt, pavarësisht kundërshtimit të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Amnistia e propozuar ka qëllim të sigurojë të ardhura shtesë në buxhet, që ndodhet në momentin më të vështirë që prej vitit 1997.
Kriza ekonomike e shkaktuar nga epidemia e Covid-19 do të gërryejë të ardhurat buxhetore për vitin 2020 dhe borxhi publik pritet të arrijë në më shumë se 80% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.