Megjithëse Shqipëria ka një bursë të licencuar, ende në të nuk është bërë asnjë emetim i titujve me ofertë publike. Për të realizuar një proces të tillë, edhe kuadri i nevojshëm rregullator ka ende boshllëqe. Këtë javë, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), ka hedhur për konsultim projekrregulloren që përcakton kërkesat të cilat duhet përmbushë prospekti i ofertës së titujve. Sipas ligjit “Për tregjet e kapitalit”, askush nuk mund të bëjë ofertë për nënshkrim ose blerje titujsh me qëllim kërkimin e fondeve nga publiku, nëse kjo nuk bëhet nëpërmjet një prospekti të plotë të nxjerrë në përputhje me këtë ligj dhe rregulloret e AMF, përveç disa rasteve përjashtimore që parashikon në ligj. Projektrregullorja përcakton shprehimisht se titujt në Republikën e Shqipërisë i ofrohen publikut vetëm pas publikimit të një prospekti.
Prospekti duhet të përmbajë informacionin e nevojshëm për të mundësuar vlerësimin e aktiveve dhe pasiveve, humbjeve dhe fitimeve, gjendjes financiare dhe perspektivave të emetuesit; të drejtave që lidhen me titujt, dhe qëllimit për emetimin e titujve dhe ndikimin tek emetuesi.
Gjatë hartimit të prospektit, emetuesi duhet të vlerësojë faktorët e rrezikut, mbështetur në probabilitetin e shfaqjes së tyre dhe shkallën e pritshme të ndikimit të tyre negativ tek emetuesi. Vlerësimi i faktorëve të rrezikut, mbështetur në probabilitetin e ndodhjes dhe shkallën e pritshme të ndikimit të tyre negativ mund të kryhet edhe duke përdorur një renditje cilësore, si i ulët, mesatar ose i lartë.
Në rast se çmimi përfundimtar i ofertës dhe sasia e titujve që do t’i ofrohet publikut apo do të pranohet për tregtim në një treg të rregulluar nuk mund të përfshihen në prospekt në kohën e paraqitjes së kërkesës tek Autoriteti, në prospekt do jepet informacion për çmimin maksimal ose vlerën maksimale të titujve, për aq sa ato janë të disponueshme ose metodat dhe kriteret e vlerësimit, sipas të cilave do të përcaktohet çmimi përfundimtar i ofertës.
Dokumenti do të jetë i vlefshëm për dymbëdhjetë muaj nga miratimi i prospektit për ofertën publike apo pranimin për tregtim në një treg të rregulluar.
Në rastet kur një emetues i vendosur jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë kërkon të ofrojë tituj për publikun apo të kërkojë leje për të tregtuar titujt në një treg të rregulluar në Shqipëri, AMF mund të njohë prospektin e paraqitur nga emetuesi, pasi është miratuar më parë nga autoriteti kompetent i vendit të tij të origjinës. Megjithatë, prospekti duhet të jetë i barasvlershëm me kërkesat e parashikuara nga kuadri ligjor dhe rregullator në Shqipëri.
Pas miratimit nga AMF, prospekti i vihet në dispozicion publikut nga emetuesi brenda një afati të arsyeshëm, por jo më vonë se nisja e datës së parë të fillimit të ofertës për publikun ose pranimit për tregtim të titujve të përfshirë në prospekt. Prospekti konsiderohet se i është vënë në dispozicion publikut pas botimit në formë elektronike tek faqja e internetit e emetuesit, faqja e internetit e ndërmjetësve financiarë, të cilët nënshkruajnë, hedhin në treg ose shesin titujt, si edhe faqja e internetit e tregut të rregulluar, ku kërkohet pranimi për tregtim.
Projektrregullorja përcakton edhe rregullat që duhet të respektojnë reklamat që ftojnë publikun për të investuar në titujt e emetuar. Reklamat duhet të njoftojnë se prospekti është publikuar ose do të publikohet dhe u tregojnë investitorëve ku mund ta sigurojnë këtë prospekt. Gjithashtu, reklama nuk duhet të përmbajë informacion të pasaktë apo çorientues dhe duhet të jetë në përputhje me informacionin që përmban prospekti i miratuar nga AMF.
Oferta publike e titujve konsiderohet e realizuar kur nënshkruhen të paktën 10% e vlerës së titujve të përcaktuar në prospekt. Në rast të kundërt, ofrimi publik konsiderohet i parealizuar dhe vlera e nënshkruar duhet t’i kthehet investitorit.