Platformat për këmbim valutor online ose forex prej disa vitesh janë bërë modeli i ri i banditizmit në tregun financiar. Siç dihet, veprimtaria financiare është e rregulluar me ligj. Që një kompani të ushtrojë aktivitet financiar të çfarëdolloji duhet të licencohet nga Banka e Shqipërisë ose Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.
Këtu nuk bëjnë përjashtim as kompanitë që veprojnë si agjentë të platformave të tregtimit të valutës. Por, këto kompani janë në fakt disa fantazma të mirëfillta virtuale: nuk kanë as një adresë, një numër telefoni, një emër regjistrimi të subjektit. Asgjë prej gjëje!
Kujtojmë që investimi në kursin e këmbimit është ndër investimet më të rrezikshëm spekulativë. Rreziku për të humbur para është realisht shumë i lartë, sidomos për individë që nuk janë të specializuar për këtë profil investimi.
Pas sinjalizimit të përcjellë nga sfidabiznesi.net, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), ka nxjerrë një njoftim zyrtar, ku paralajmëron publikun të mos investojë në platformën e paligjshme fxshqip.com dhe në atë të lidhur IQOption.al.
Në njoftimin zyrtar, saktësohet se FXShqip nuk është e licencuar, regjistruar apo e njohur nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.
Mbështetur në Ligjin nr. 9879 datë 21.2.2008 “Për Titujt”, asnjë shoqëri nuk mund të ofrojë apo promovojë shërbime të lidhura me investime në tituj, si këshillime, konsultime apo menaxhim portofoli brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, pa u licencuar, apo regjistruar më parë nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.
Për më tepër, FXShqip nëpërmjet faqes së saj nuk e informon qartazi investitorin për lidhjen e saj me platformën e tregëtimit online të ofruar nga shoqëria e huaj e brokerimit IQOption, me një gamë të gjerë produktesh financiare komplekse, jo të përshtatshme për cdo investitor dhe me rrezik të lartë, sic janë Kontratat për Diferencë (CFD) etj.
Në momentin që regjistroheni për të hapur një llogari për të tregëtuar nëpërmjet faqes së internetit të FXShqip, ju automatikisht bëheni klientë të platformës online të tregtimit www.iqoption.com. Rrjedhimisht, FXShqip, promovon produktet financiare të kësaj platforme duke vepruar si një agjent i paregjistruar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.
AMF paralajmëron se shoqëria e brokerimit IQOption, e paautorizuar apo njohur për të ofruar produkte dhe shërbime në Republikën e Shqipërisë, disponon edhe një adresë interneti në gjuhën shqipe www.iqoption.al, e dedikuar në mënyrë të paligjshme për investitorin shqiptar.
Sipas legjislacionit në fuqi, një shoqëri brokerimi e huaj mund të ofrojë shërbimet e saj në territorin e Republikës së Shqipërisë përmes një agjenti të njohur dhe të regjistruar nga AMF.
AMF paralajmëron publikun se të gjithë ata që investojnë në FXshqip.com janë të rrezikuar financiarisht dhe ligjërisht, sepse Autoriteti nuk mund të mbrojë interesat e të gjithë atyre, që investojnë në subjekte apo platforma të palicencuara prej saj.
Investitorët këshillohen të verifikojnë identitetin e shoqërisë që po ofron produktet financiare dhe duhet të konsultoheni me listën e subjekteve të licencuara, që ndodhet në rubrikën Regjistri i të Licencuarve të faqes zyrtare të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare: www.amf.gov.al
AMF bën të ditur se është duke bashkëpunuar me autoritetet e tjera ligjzbatuese për të ndaluar aktivitetin e FXshqip.com dhe shoqërive të tjera të palicencuara.
FXshqip, një karikaturë e institucionit financiar
FXShqip përfaqëson shembullin tipik të pseudoinstitucioneve financiare klandestine, që veprojnë jashtë të gjitha rregullave, duke joshur publikun për investime të rrezikshme dhe, ndoshta, duke i ekspozuar ndaj mashtrimeve. Platforma të fton të regjistrohesh online dhe të fillosh menjëherë tregtimin, pa ditur asgjë se kush qëndron pas kësaj platforme.
E vetmja “garanci” është se “nën drejtimin e shkëlqyer të Znj. G.Uku kompania ofron konsultim dhe menaxhim portofoli në të gjitha fushat e tregjeve financiare.” Zonja “G.Uku” ndoshta e mendon veten si një emër që flet vetë, sikur ke thënë Christine Lagarde; por në fakt në publik askush nuk e njeh.
Këta keqbërës nuk mjaftohen vetëm në banditizëm financiar, por konsumojnë pa asnjë skrupull edhe veprën penale të shkeljes së të drejtave të autorit, duke përvetësuar informacione nga portalet e informacionit ekonomik dhe duke i shpërndarë më tej në web-in e tyre dhe në rrjete sociale si informacione të ofruara prej tyre. Ky është vetëm një detaj më shumë për të kuptuar me çfarë “institucioni financiar” kemi të bëjmë në këtë rast.
I vetmi personazh që ekspozohet në publik është “drejtoresha e thesarit”, Alma Shiri, një lloj primati që rishpërndan me copy-paste lajme në rrjete sociale pa ditur të shtojë qoftë edhe një presje nga vetja.
Në fakt, batakçinjtë e FXshqip.com nuk janë të vetmit të përfshirë në këtë biznes të rrezikshëm për shqiptarët.
Mënyra sesi trajtohet çështja e subjekteve të jashtëligjshme ngelet ende një problem i pazgjidhur. AMF shprehet se të gjitha rastet e sinjalizuara përcillen tek strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe atyre të krimit ekonomik në Policinë e Shtetit.
Pasi miratimit të ligjit që ndalonte bastet, Ministria e Financave dhe AKEP u angazhuan në bllokimin e të gjitha domaineve të subjekteve që ofronin baste online, qofshin shqiptare ose të huaja. Një gjë e tillë është minimumi që mund të bëhet për aktivitete rreptësisht të rregulluara me ligj, siç janë shërbimet financiare.