7 Janar

0 komente

AMF licencon edhe fondin e investimeve të grupit Albsig

Autor Ersuin Shehu

7 Janar, 2020


Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka licencuar fondin e gjashtë të investimeve në Shqipëri, Albsig Standard. Ky fond është themeluar nga shoqëria administruese Albsig Invest, e licencuar vetëm në muajin nëntor, së bashku me fondin e pensioneve Albsig Pension.

Licencimi i fondeve dhe shoqërisë administruese zgjeron praninë e grupit të biznesit Kastrati brenda tregut financiar shqiptar.

Në shtator, Kastrati pati licencuar edhe shoqërinë e sigurimit të jetës, Albsig Life, përmes të cilës do të kontrollohet edhe shoqëria Albsig Invest.

Albsig bëhet grupi i tretë që zgjerohet në tregun e investimeve financiare, pas Raiffeisen dhe Credins.

Tregu i fondeve të investimit në Shqipëri ka arritur përmasa të konsiderueshme dhe në fund të shtatorit 2019 asetet neto kishin vlerën e rreth 67 miliardë lekëve ose 545 milionë eurove. Janë gjithsej rreth 29 mijë shqiptarë që kanë investuar paratë e tyre në këto fonde.

94% e këtyre aseteve totale i takojnë fondeve të administruara nga Raiffeisen Invest, ndërsa Credins Premium zotëron rreth 5.5% të aktiveve të tregut.

Fondet e para të investimit në Shqipëri u themeluan në fund të vitit 2011 nga Raiffeisen Invest. Pas një rritje të shpejtë në fazën e parë, tregu prej disa vitesh ndodhet në një fazë stanjacioni. Kjo mund të shpjegohet me bazën e kufizuar të investitorëve, por edhe me spektrin e ngushtë të instrumenteve të investimit. Për fondet në monedhën vendase, e vetmja alternativë investimi janë letrat e borxhit të qeverisë shqiptare.

Nisja e pritshme e tregtimit të titujve të kompanive private në bursën ALSE mund të shtrojë alternativa të reja për fondet e investimit, por edhe potenciale më të mëdha për zhvillimin e tregut.

Albsig është e pranishme në tregun e sigurimeve që prej vitit 2004. Për 11 mujorin e vitit 2019, Albsig mbante 14.3% të tregut sipas primeve të shkruara bruto.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes