Bursa ALSE prezantoi të hënën platformën e informacionin për treguesit kryesorë të fondeve të investimeve dhe fondeve të pensionit.
Platforma do të ofrojë informacion me bazë ditore për çmimin e kuotave, vlerën neto të aseteve dhe profilin e riskut për secilin prej fondeve të pensionit dhe investimeve të licencuara në Shqipëri. Ofrimi i të dhënave në një format të standardizuar dhe në një platformë të vetme e bën më të lehtë krahasimin e tyre për investitorët.
Tabela e platformës parashikon edhe mundësinë e publikimit të normave të kthimit të secilit fond për periudha të ndryshme kohore. Megjithatë, për momentin shumica e shoqërive administruese kanë preferuar të mos i publikojnë këta tregues, megjithëse në fakt kthimi është një ndër elementët më thelbësorë në vëmendjen e investitorit.
Në prezantimin e platformës, drejtori i përgjithshëm ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Ervin Mete, tha se AMF ka prioritet hartimin e një dokumenti strategjik për zhvillimin e tregut të kapitalit. Një nga hapat e parë do të jetë vlerësimi i parametrave të kompanive publike, për të mundësuar listimin e disa prej tyre në Bursë, në modelin e vendeve të Rajonit.
Në vitin 2018, Kryeministri Rama shpalli qëllimin për të listuar në Bursë një prej kompanive që do të krijoheshin nga ndarja e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Por, që nga ajo kohë, nuk ka pasur asnjë zhvillim konkret në këtë drejtim.
Një ide tjetër, e propozuar nga Bursa ALSE, është emetimi i obligacioneve të kompanive publike, për të zëvendësuar kredinë si instrument i vetëm huamarrjes. Obligacionet mund të jenë një alternativë për huamarrjen e re, por ndoshta edhe për të zëvendësuar kreditë ekzistuese të këtyre kompanive, kryesisht të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare. Në thelb të propozimit është ideja që këto obligacione të mbulohen me garanci sovrane, me qëllim zbutjen e rreziqeve dhe shtimin e interesit të investitorëve.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka ngritur një grup pune për këtë qëllim, por nuk është ende e qartë nëse kjo ide do të gjejë mbështetje.
Bursa Shqiptare e Titujve u licencua në korrik të vitit 2017, ndërsa nisi operacionet në shkurt të vitit 2018, me tregtimin e letrave të borxhit të qeverisë shqiptare.
ALSE dhe depozitari ALREG kanë plotësuar kërkesat ligjore dhe kanë ngritur infrastrukturën e nevojshme teknike për të mundësuar listimin e titujve të kompanive private.