Bursa Shqiptare e Titujve ALSE dhe Junior Achievement of Albania nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi, me qëllim rritjen e edukimit financiar për tregjet e kapitalit.
Sipas njoftimit zyrtar të ALSE, bashkëpunimi synon të rrisë ndërgjegjësimin në lidhje me edukimin financiar në drejtim të parimeve bazë financiare si kursimet, investimet, tregu financiar, titujt, bursa dhe tregu i kapitaleve.
Faza e parë e këtij bashkëpunimi do të nisë me përgatitjen e një serie videosh të animuara me fokus edukimin financiar dhe tregun e kapitaleve. Videot do të shërbejnë si instrument ndërgjegjësimi dhe edukimi për publikun e gjerë dhe të rinjtë në vecanti.
Kjo fazë është parashikuar të zgjasë rreth 6 muaj dhe videot do të jenë lehtësisht të aksesueshme në media dhe rrjetet sociale duke synuar një audiencë të gjerë.
Bursa Shqiptare e Titujve ALSE është e para bursë titujsh me kapital privat që ushtron aktivitetin në Republikën e Shqipërisë. Ajo u licencua nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare në korrik të vitit 2017 dhe filloi tregtimin në shkurt 2018.
Aktualisht, në bursë tregtohen letrat me vlerë të qeevrisë shqiptare, ndërsa këtë vit pritet të nisë edhe listimi i kompanive private.
Bursa ALSE synon krijimin e një tregu kombëtar titujsh, për të mundësuar aksesin sa më të lehtë e të shpejtë të biznesit shqiptar tek burimet e lira të financimit. Organizata Junior Achievement of Albania është një investim strategjik i Fondacionit Shqiptaro – Amerikan për Zhvillim me mbështetje institucionale të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë.
Misioni i Junior Achievement of Albania është, të nxisë dhe të mbështesë edukimin ekonomik, financiar dhe sipërmarrjen tek të rinjtë shqiptarë.