Albtelecom ka marrë një nga huatë më të mëdha të dhëna këtë vit nga sistemi bankar shqiptar, te Banka Kombëtare Tregtare (BKT). Huaja ka vlerën ekuivalente të 24 milionë eurove (pothuajse 3 miliardë lekë) dhe do të përdoret për të rifinancuar një nga kreditë ekzistuese që kompania kishte te banka turke e investimeve Aktif Bank. Bëhet fjalë për një zhvendosje së brendshme të detyrimeve brenda grupit Çalik, ku bëjnë pjesë të tre kompanitë e përfshira.
Albtelecom vazhdon të ketë një barrë të rëndë borxhesh në bilancin e vet. Shpenzimet për interesa kanë përcaktuar rezultate financiare me humbje në dekadën e fundit. Sipas bilancit të vitit 2018, Albtelecom kishte hua afatshkurtra dhe afatgjata për një shumë totale prej 12.8 miliardë lekësh ose rreth 105 milionë euro.
Vetëm vitin e kaluar, kompania pagoi më shumë se 1 miliardë lekë ose rreth 8.6 milionë euro interesa borxhi. Kreditori kryesor i Albtelecom, në fakt, është vetë grupi zotërues Çalik, me afro 40 milionë euro, i ndjekur nga Aktif Bank, pjesë po e Çalik, me rreth 28 milionë euro.
Manovra e blerjes së huasë së Aktif Bank nga BKT ndoshta është bërë për qëllime të brendshme të grupit Çalik, që vazhdon ta shfrytëzojë bankën shqiptare si një financues të rëndësishëm të biznesit të grupit, nëpërmjet huadhënies.
Në mesin e këtij viti, BKT kishte mbi 100 milionë dollarë amerikanë në formë vendosjesh në Aktif Bank. Blerja e huasë së Albtelecom, përmes financimit të bankës shqiptare, i çliron bankës turke të investimeve edhe 24 milionë euro më shumë.
Po të kemi parasysh disponibilitetin e konsiderueshëm të fondeve për bankat shqiptare, i shprehur nga raport shumë i ulët mes kredive dhe depozitave, një manovër e tillë duket se i volit edhe BKT-së.
Një avantazh për Albtelecom nga transferimi i kredisë mund të jetë edhe kursi i favorshëm i këmbimit. Euro këtë vit ka zbritur në intervalin mes 122-123 lekëve, ndërsa në kohën kur kredia ishte marrë nga Aktif Bank ishte pranë vlerës së 140 lekëve. Kjo i mundëson Albtelecom një shlyerje me vlerë ekuivalente më të ulët në lekë.