Gjatë muajit mars, kompania hungareze 4iG njoftoi marrjen zyrtarisht nën kontroll të operatorit më të madh të shërbimeve fikse në Shqipëri, Albtelecom. Në mënyrë suprizë, marrëveshja e shitblerjen parashikonte që pronari kryesor i mëparshëm i Albtelecom, grupi Çalik, të përfitonte një pjesë të aksioneve në kapitalin e shoqërisë blerëse, 4iG, më pak se 5% të totalit. Kjo pjesë e marrëveshjes në fakt dëshmon një aspekt të rëndësishëm të saj, në raport me çmimin e shitjes: në fakt, hungarezët nuk kanë paguar asgjë për të blerë Albtelecom. Çmimi i marrëveshjes ishte marrja përsipër e borxheve shumë të mëdha që kompania kishte ndaj aksionerit kryesor, grupit Çalik dhe ndaj palëve të lidhura, gjithmonë kompani të grupit. Në këmbim të marrjes përsipër të këtyre borxheve, Çalik ka pranuar që një pjesë e tyre, rreth 21 milionë euro, të konvertohen në aksione të kompanisë blerëse, 4iG.
Pasqyrat financiare të Albtelecom për vitin 2021 nuk janë publikuar ende, ndërsa deri në fund të vitit 2020 kompania kishte hua të pashlyera në vlerën e 14.2 miliardë lekëve ose rreth 116 milionë eurove. Më shumë se 92% e borxheve totale i takonin kompanive të grupit Çalik. Nga këto, rreth 30 milionë euro i takonin direkt grupit Çalik, 43 milionë euro bankës së saj të investimeve, Aktif Bank, ndërsa pjesa tjetër e huave nga kompani të grupit ishin kredi të BKT Shqipëri dhe Kosovë.
4iG është një kompani e listuar në Bursën e Budapestit, ndërsa aksioner kryesor i kompanisë në mënyrë të tërthortë është biznesmeni hungarez, Gellert Jaszai, me 56.85% të aksioneve. Ai është njëkohësisht Drejtor i Përgjithshëm dhe Kryetar i Bordit Drejtues të kompanisë. Jaszai njihet si një person me lidhje të ngushtë me kryeministrin hungarez, Victor Orban.
Sipas raporteve financiare të 9-mujorit 2021, kapitali aksioner i shoqërisë kishte një vlerë prej më pak se 37 milionë eurosh. Megjithatë, në fillim të këtij viti, 4iG njoftoi një operacion të zmadhimit të kapitalit, të gërshetuar edhe me hyrjen në kapitalin aksioner të Rheinmetall, kompani gjermane me aktivitet në sektorin e armatimeve, industrisë automotive dhe teknologjisë së informacionit. Rheinmetall do të marrë 25.1% të të drejtave në kapitalin e 4iG, operacion që do të gërshetojë blerjen e aksioneve ekzistuese dhe nënshkrimin e aksioneve të reja, me qëllim rritjen e kapitalit të kompanisë.
Sipas informacionit zyrtar të 4iG, zmadhimi i kapitalit të 4iG do të ketë një vlerë prej 125 miliardë forintash hungareze, vlerë e barasvlefshme me rreth 354 milionë euro. Nga këto, rreth 221 milionë euro do të injektohen nga fondi i Gellert Jaszai-t, 95 milionë euro nga Rheinmetall dhe pjesa e mbetur nga aksioneri i pakicës, Alpac Capital, një fond investimesh i regjistruar në Portugali dhe i angazhuar kryesisht në investimin në kapitalin e SME-ve. Ndërkohë, një pjesë e vogël e aksioneve të reja do të përfitohen edhe grupi turk Çalik, si pjesë e marrëveshjes për shitjen e Albtelecom.