17 Korrik

0 komente

Albsig rriti fitimin neto me 32% për vitin e kaluar

Autor Ersuin Shehu

17 Korrik, 2020

kryesore

Megjithë goditjen që pësoi industria nga dy tërmete në harkun e pak muajve, pjesa më e madhe e kompanive të sigurimit raportojnë rezultat financiar me fitim për vitin 2019.

Albsig realizoi vitin e kaluar një fitim neto në vlerën e 153 milionë lekëve ose rreth 1.25 milionë eurove. Fitimi i Albsig është rritur me pothuajse 32% krahasuar me vitin 2018.

Megjithëse rritja e primeve të shkruara bruto ishte minimale, të ardhurat e Albsig gjatë vitit të kaluar u përmirësuan me afërsisht 7% dhe arritën vlerën totale të 2.22 miliardë lekëve. Rritja e të ardhurave erdhi falë uljes së rezervës së primit të pafituar, por edhe nga rritja e ndjeshme e të ardhurave nga tarifat dhe komisionet.

Vitin e kaluar, Albsig pagoi 769 milionë lekë dëme, në rritje me 13% krahasuar me një vit më parë. Tërmetet nuk kanë shkaktuar rritje shumë të lartë të dëmeve, sepse përgjithësisht katastrofat natyrore janë të risiguruara. Sipas përllogaritjeve nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, rreth 90% e faturës së dëmit të tërmeteve të vitit të kaluar do të paguhet nga risiguruesit.

Megjithëse Albsig ka raportuar një rritje të rezervave teknike për dëmet me rreth 1 miliardë lekë krahasuar me një vit më parë, kjo shumë është mbuluar për rreth 87% nga ndryshimi pozitiv në rezervën e dëmeve të risigurimit.

Përveç një performance finaciare përgjithësisht pozitive, Albsig ka vijuar rritjen e përmasave të kompanisë edhe gjatë vitit të kaluar. Totali i aktiveve arriti në 4.5 miliardë lekë ose rreth 36.5 milionë euro, në rritje vjetore me pothuajse 37%. Rritja e aseteve ka ardhur sidomos falë investimeve në filiale, po edhe shtimit të aktiveve materiale.

Vitin e kaluar, Albsig themeloi shoqërinë e sigurimit të jetës Albsig Jetë, me kapital aksioner 402 milionë lekë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes