Kompania Albsig do të zgjerojë më tej aktivitetin e saj në tregun financiar. Pasi mori licencë për sigurimin e jetës në muajin shtator, kompania e Shefqet Kastratit tashmë ka themeluar edhe Albsig Invest, shoqëri administrimi e fondeve të pensioneve dhe sipërmarrjeve të investimeve kolektive.
Shoqëria në fjalë do të kontrollohet në masën 100% përmes kompanisë së sigurimit të jetës, Albsig Life. Megjithatë, Albsig Invest ende nuk është licencuar e nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, proces që mund të kërkojë disa muaj.
Nëse AMF do ta licencojë, Albsig do të bëhet kompania e pestë në administrimin e fondeve të pensionit dhe fondeve të investimit, pas Raiffeisen Invest, Credins Invest, Sigal Life Uniqa Group Austria dhe WVP Fund Management Tirana.
Tashmë, tregu i fondeve të investimit ka arritur përmasa të konsiderueshme. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, në fund të shtatorit të këtij viti vlera e aseteve neto ishte rreth 66 miliardë lekë ose rreth 535 milionë euro.
Tregu i fondeve private të pensioneve ka përmasa më modeste, me aktive totale në vlerën e rreth 20 milionë eurove. Megjithatë, numri i kontribuesve në këto fonde ka arritur në mbi 27 mijë dhe ky vlerësohet një treg me potenciale të mëdha rritjeje.
Për sa i takon përfitueshmërisë, vitin e kaluar të gjitha shoqëritë administruese kishin rezultat financiar me fitim, ku natyrisht pjesën e “luanit” e mbante shoqëria Raiffeisen Invest, që fitoi 535 milionë lekë, ose 90% e fitimeve totale të realizuar në këtë treg.
Albsig vepron në tregun e sigurimeve që prej vitit 2004. Për vitin 2018, Albsig zotëronte 10.7% të tregut, sipas totalit të aktiveve dhe 14.9% sipas primeve të shkruara bruto.
Këtë vit, kompania vendosi të hyjë edhe në tregun e sigurimit të jetës, me kompaninë Albsig Life, që, me sa duket, do të shërbejë edhe si pikë referimi për aktivitetin e adminstrimit të fondeve të pensioneve dhe të investimeve.