Procesi i ristrukturimit të sistemit bankar shqiptar solli mundësi të mira për blerësit e interesuar për të hyrë në treg ose për t’u zgjeruar. Fituesi më i madh nga ky proces ishte ndoshta fondi amerikan NCH Capital dhe ortaku e menaxheri i bizneseve të tij në Shqipëri, Andi Ballta. NCH Capital (përmes kompanisë së saj Tranzit) hyri në këtë treg në vitin 2015, duke blerë filialin shqiptar të Credit Agricole, që më pas do të quhej Banka Amerikane e Investimeve (ABI Bank). Por, fakti më interesant për këtë transaksion është çmimi, çka e bën një rast unik në historinë e sistemit bankar shqiptar.
Credit Agricole Albania u shit me çmim negativ në vlerën e 10 milionë eurove, ose e thënë ndryshe blerësi në fakt nuk pagoi, por përfitoi para për të marrë në pronësi bankën në fjalë.
Ky çmim besohet se u përfitua përmes transferimit të një pakete borxhi të varur që grupi Credit Agricole i pati dhënë filialit të vet shqiptar, për të mbuluar humbjet e njëpasnjëshme në vitet e fundit të aktivitetit. Në këmbim të transferimit të aksioneve, Credit Agricole hoqi dorë nga ky borxh dhe ia kaloi të drejtat mbi të aksionerit të ri, Tranzit.
Jo vetëm kaq, por më tej aksionerët e ABI Bank nuk kanë investuar as edhe një qindarkë në formën e rritjes së kapitalit. I vetmi shtim kapitali i aplikuar në vitin 2018 konistoi në konvertimin në kapital aksioner të një pjese të borxhit të varur, të përfituar nga Credit Agricole.
I gjithë kapitali i shtuar gjatë këtyre viteve përbëhet nga fitime të pashpërndara dhe nga rezerva, pjesa më e madhe e të cilave u përfituan pas blerjes së NBG Bank.
Shitja e Credit Agricole, në fakt, ishte rasti i vetëm deri më sot kur një bankë në Shqipëri jepet me çmim negativ. ABI Bank paraqiti ofertën më të lartë, me -10 milionë euro, ndërsa ofertuesit e tjerë paraqitën oferta edhe më të ulëta: grupi Balfin pati ofruar rreth -20 milionë euro, ndërsa Union Bank rreth -24 milionë euro.
Fillimisht, vetëm banka bullgare First Investment Bank (Fibank) ishte e orientuar drejt paraqitjes së një oferte pozitive me çmimin simbolik 1 euro; por, edhe Fibank u tërhoq, duke paraqitur edhe ajo një ofertë në vlerë negative, pak më të ulët se ajo e Tranzit/NCH Capital.
Më pas, në vitin 2018, ABI Bank u zgjerua më tej duke blerë edhe bankën NBG Albania. Këtë herë, NCH Capital u detyrua të fuste dorën në portofol dhe mendohet se pagoi pak më shumë se 25 milionë euro.