28 Prill

0 komente

AKEP rreshtohet me Vodafone. Refuzon rekomandimet e Autoritetit të Konkurrencës dhe ruan status-quo-në.

Autor Ersuin Shehu

28 Prill, 2020

kryesore

Pas një periudhe rekord pasiviteti dhe mosfunksionimi, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka dalë më në fund me një vendim lidhur me rekomandimet e Autoritetit të Konkurrencës për të adresuar pozitën dominuese të Vodafone Albania në tregun e telefonisë celulare. Vendimi ka qenë ai që pritej dhe që nuk ndryshon status-quo-në e rregullimit: AKEP ka refuzuar të vendosë nën rregullim tregun e akses-origjinimit të thirrjeve celulare dhe, rrjedhimisht, edhe atë me pakicë.

Vitin e kaluar, Autoriteti i Konkurrencës kërkoi shprehimisht që Vodafone Albania të shpallej operator me fuqi të ndjeshme në tregun me pakicë të telefonisë celulare dhe vendosjen nën rregullim të tarifave të këtij oepratori. Gjithashtu, Vodafone duhet të shpallej OFNT në tregun me shumicë të akses-origjinimit, çka do të sillte mes të tjerash edhe detyrimin për t’i dhënë akses operatorëve virtualë në rrjetin e saj celular.

Ky do të ishte një hap shumë i rëndësishëm për t’iu hapur rrugën edhe në Shqipëri operatorëve të rrjeteve virtuale (MVNO). Të paktën dy operatorë kanë shprehur zyrtarisht interes në AKEP për të nisur aktivitet si MVNO. Shqipëria është ndër të paktët vende në Europë që nuk ka operatorë të tillë dhe vendimi i AKEP për të mos vendosur nën rregullim tregun e akses-origjinimit e vështirëson akoma më shumë hyrjen në treg të këtyre operatorëve.

Me vendimin e datës 24 prill, Këshilli Drejtues i AKEP vendosi se testi kyç në tregjet e telekomunikacioneve, ai i tre kritereve, nuk justifikon vendosjen e tregut të akses-origjinimit në rregullim paraprak ex-ante. Testi i tre kritereve parashikon se që tregu të vendoset nën rregullim paraprak duhet të plotësohen njëkohësisht tre kritere: ekzistenca e barrierave të larta dhe të qëndrueshme për hyrjen në treg; mungesa e një tendence të tregut për të shkuar drejt konkurrencës efektive; pamjaftueshmëria e ligjit për mbrojtjen e konkurrencës për të adresuar problemet e tregut në fjalë.

Në konkluzion, AKEP shprehet se rregullimi ex-ante i tregut me shumicë të akses-origjinimit, ndërhyrja paraprake për përcaktimin e sipërmarrësit me fuqi të ndjeshëm në treg dhe vendosjen e detyrimeve rregullatore përkatëse, nuk paraqiten si masa në përpjestim të drejtë me objektivin e mbrojtjes së konkurrencës së lirë dhe efiçente në kuadrin e ligjit 9918/2008 “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, për sa kohë ky objektiv është i realizueshëm nëpërmjet instrumenteve të legjislacionit specifik nën mbikqyrjen e Autoritetit të Konkurrencës

AKEP vlerëson se këto tre kritere nuk përmbushen, megjithatë po të marrim në analizë secilin prej tyre, dyshimet janë mëse të qenësishme.

Është mëse e qartë se tregjet celulare kanë barriera të mëdha hyrëse, për shkak të numrit të kufizuar të autorizimeve dhe nevojës për investime shumë të mëdha për ngritjen e rrjeteve dhe ofrimin e shërbimeve.

Kriteri i dytë, ai i lëvizjes së tregut drejt një konkurrence efektive, është po aq i dyshimtë. Në fund të vitit 2018, operatori i katërt i shërbimeve celulare, Plus Communication, u detyrua të mbyllte aktivitetin dhe në treg ngelën vetëm tre operatorë. Plus zhvilloi një betejë të gjatë ligjore kundër operatorit Vodafone Albania, duke e akuzuar se përdori fuqinë e saj të tregut për të dëmtuar operatorët më të vegjël, kryesisht përmes mekanizmit të mbylljes së trafikut brenda rrjetit me tarifa nën kosto. Autoriteti i Konkurrencës i mbështeti në pjesën më të madhe shqetësimet e Plus, por, çuditërisht refuzoi të shpalltë Vodafone Albania fajtor për abuzim me pozitën dominuese.

Fakt është Plus u detyru a të dalë nga tregu, ndërsa edhe Albtelecom po operon prej një dekade me humbje në segmentin mobile.

Mbështetur në të dhënat më të fundit zyrtare te AKEP, në vitin 2018 Vodafone Albania zotëronte gati 55% të tregut sipas totalit të të ardhurave dhe rreth 52% të tregut sipas trafikut të thirrjeve, mesazheve të shkruara dhe të dhënave (data). Nga këto shifra, duket qartë pozita dominuese e Vodafone në tregun e komunikimeve nga rrjetet celulare.

Për sa i takon kriterit të tretë, atij të pamjaftueshmërisë së ligjit të konkurrencës për të adresuar problemet e tregut, vetë dalja nga tregu e Plus është një argument i tërthortë se abuzimi me pozitën dominuese nga Vodafone ka sjellë dëme serioze në tregun e shërbimeve celulare, që ligji “Për mbrojtjen e konkurrencës” nuk arriti t’i shmangte.

Por, AKEP në vendimin e javës së shkuar jep si shembull vendimet e muajit shkurt nga Autoriteti i Konkurrencës, që urdhëroi operatorët celularë të shfuqizonin shtrenjtimin e njëkohshëm të paketave ofertë. Por, rasti në fjalë, në fakt lidhet me sjelljen e bashkërenduar të operatorëve dhe jo me pozitën dominuese, që qëndron në thelb të shqetësimit të Autoritetit të Konkurrencës për tregun me pakicë të telefonisë celulare.

Vendimmarrja e AKEP do të forcojë edhe më shumë pozitën e Vodafone Albania si operator dominant në tregun e komunikimeve të lëvizshme në Shqipëri. Në kushtet kur ekonomia është kapluar nga kriza e Covid-19 dhe nevojat për investime paraqiten të mëdha, për dy operatorët e tjerë bëhet edhe më e vështirë të konkurrojnë me Vodafone. Vendimi në fjalë gjithashtu i mbyll rrugën edhe operatorëve virtualë (MVNO) që ishin e vetmja shpresë për të sjellë më shumë konkurrencë në këtë treg.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes