Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka përgatitur procedura të reja për mbylljen e faqeve të internetit. Në rregulloren për regjimin e autorizimit të përgjithshëm, dispozitat për kufizimet e lidhura me përmbajtjen e paligjshme ose të dëmshme do të ndryshohen, duke përfshirë si një lloj kordinatori të posaçëm për këto përmbajtje Autoritetin Kombëtar të Certifikimit Elektronik dhe Sigurisë Kibernetike.
Sipas ndryshimeve të hedhura për konsultim publik, sipërmarrësit që ofrojnë rrjete ose shërbime të komunikimeve elektronike të aksesit në internet, kanë detyrim ligjor të regjistrohen në sistemin ose portalin online, që administrohet dhe mirëmbahet nga Autoriteti Kombëtar i Certifikimit Elektronik dhe Sigurisë Kibernetike (AKCESK).
Në momentin që një autoritet regjistron në portalin e AKCESK një faqe të cilësuar me përmbajtje të paligjshme ose të dëmshme, ISP-të duhet të bëjnë menjëherë bllokimin e aksesit të faqes në fjalë. Pasi të kenë marrë masat e duhura juridike dhe teknike për kufizimin e aksesit në faqe, ato duhet të japin konfirmim në portal.
Sipas AKEP, këto ndryshime bazohen në VKM nr.141, datë 22.02.2017, “Për organizimin dhe funksionimin e Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike”.
Pavarësisht nga sa më lart, AKEP do të ruajë të drejtën për të kërkuar drejtpërsëdrejti nga sipërmarrësit e komunikimeve elektronike kufizimin e përmbajtjeve të paligjshme ose të dëmshme, në rastet e parashikuara nga ligji “Për komunikimet elektronike”. Ndërhyrja e AKEP parashikohet në rastet kur cënohen interesat e vendit, siguria publike, si edhe gjatë gjendjes së luftës apo situatave të jashtëzakonshme.
Në vitet e fundit, AKEP ka urdhëruar në disa raste mbylljen e faqeve të internetit. Rasti më masiv ishte ai që lidhej me faqet e basteve online, pas miratimit të ligjit që i ndalonte të gjitha lojërat e fatit dhe bastet sportive në Republikën e Shqipërisë. Sidoqoftë, në opinionin publik po rritet shqetësimi se mbyllja e faqeve të internetit rrezikon të bëhet një formë e re e censurës dhe kufizimit të lirisë së shprehjes.
Aktualisht, nuk ka përcaktime të qarta ligjore se kur një faqe interneti cilësohet me përmbajtje “të dëmshme”, kush ka tagrin për të bërë një interpretim të tillë, cilat institucione kanë të drejtë të urdhërojnë mbylljen e faqeve të internetit dhe në cilat raste.
Rregullorja e re e AKEP përcakton centralizimin e procedurës së mbylljes së faqeve në sistemin e AKCESK, çka e thjeshton mbylljen e faqeve të internetit nga autoritetet publike, por edhe rrit hapësirat për përdorim abuziv të këtij pushteti.