Rregullorja e re për mbrojtjen e konsumatorëve ka një më shumë se një vit që fle në sirtarët e AKEP. Në maj të vitit të kaluar, projektrregullorja që u hodh në konsultim publik sillte disa risi të rëndësishme për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve në raport me ofruesit e shërbimeve të komunikimeve elektronike.
Rregullorja e re duhet të vendosë detyrime të qarta për përmbajtjen e kontratave të pajtimtarëve, përfshirë detyrimin për ofrimin e përmbledhjes së tyre dhe saktësime për kohëzgjatjen, rinovimin dhe përfundimin.
Një risi tjetër shumë e rëndësishme ishte edhe transparenca lidhur me shpejtësinë e lidhjes së internetit, sidomos për linjat fikse. Shpesh shpejtësia reale e lidhjeve të internetit është shumë më e ulët se ajo e përcaktuar në kontratë, ndaj operatorët duhet të përcaktojnë në kontratë shpejtësinë minimale që përdoruesi do të përfitojë.
Dokumenti i ri përcakton gjithashtu standarde për sistemin e faturimit dhe saktësinë e tij, si edhe rregulla më të qarta për trajtimin e ankesave nga operatorët dhe mbajtjen e rekordeve të tyre.
Një risi e rëndësishme është edhe krijimi i bazës së të dhënave për regjistrin “mos më telefono” për të bllokuar thirrjet e pakërkuara nga kompanitë tregtare. Telefonatat e padëshiruara të marketingut janë bërë shqetësuese, sepse bizneset telefonojnë dhe ofrojnë blerjen e produkteve apo shërbimeve, pa marrë asnjë autorizim paraprak.
Megjithëse konsultimi publik ka përfunduar që në mesin e vitit të kaluar, Këshilli Drejtues i AKEP ende nuk e miratuar rregulloren. Ky nuk është rasti i vetëm i vonesave të skajshme dhe në disa raste edhe në shkelje të ligjeve lidhur me miratimin e dokumenteve rregullatore nga AKEP. Raste edhe më flagrante janë analizat e tregjeve të telefonisë celulare, që u hodhën për konsultim publik qysh në prill të vitit të kaluar, ende sot e kësaj dite nuk janë miratuar.
Shqetësimi me telefonatat e marketingut
Telefonatat e padëshiruara të marketingut janë bërë shqetësuese për shumë qytetarë. Pa marrë asnjë autorizim paraprak, bizneset telefonojnë në çdo kohë dhe ofrojnë blerjen e produkteve apo shërbimeve. Sipas projektrregullores që propozoi AKEP vitin e kaluar, të gjithë operatorët e shërbimit telefonik duhet të krijojnë një regjistër ku të përfshijnë abonentët të cilët nuk dëshirojnë të marrin thirrje të këtij lloji.
Në formularin e regjistrimit të pajtimtarit, do të ketë një pikë ku çdo përdorues do të zgjedhë nëse dëshiron të marrë ose jo telefonata marketingu. Abonentët sidoqoftë do të keni mundësi ta ndryshojnë zgjedhjen e tyre në çdo kohë, pranë pikave të shërbimit të operatorit. Kompanitë që aplikojnë thirrje marketingu kanë detyrim të aksesojnë regjistrin “do not call me” dhe të mos kryejnë thirrje drejt numrave të përfshirë në këtë regjistër.
Rregullorja parashikon edhe krijimin e një numëratori të përgjithshëm telefonik, që do të përmbajë numrat e telefonit të pajtimtarëve që dëshirojnë të përfshihen në të. Në formularin e regjistrimit, çdo përdorues do të ketë të drejtë të zgjedhë nëse dëshiron që numri i tij të publikohet në këtë numërator.
Numëratori dhe regjistri “do not call me” do të jenë pjesë e Bazës Kombëtare të të Dhënave të Numërave të Telefonit. Kjo bazë të dhënash do të krijohet nga ofruesit e shërbimit të telefonisë në vend dhe do të drejtohet nga një administrator i emëruar nga AKEP.
“Hiletë” me shpejtësinë e internetit
Operatorët e shërbimit të internetit me linja fikse i emërtojnë dhe i reklamojnë paketat e tyre mbështetur në shpejtësinë maksimale të lidhjes. Por, fakt është se shpejtësia e reklamuar nuk i ofrohet abonentëve gjatë gjithë kohës; shpeshherë, shpejtësia e lidhjes është ndjeshëm më e ulët, sidomos në oraret e pikut, ku përdorimi i rrjetit të operatorit shtohet.
Për të kufizuar spekulimet nga ana e operatorëve të rrjeteve fikse, ata së shpejti do të jenë të detyruar të përcaktojnë shprehimisht në kontratat e pajtimit edhe shpejtësinë minimale të internetit që abonenti do të përfitojë.
Në projektrregulloren për mbrojtjen e përdoruesve të komunikimeve elektronike, AKEP ka përcaktuar se shpejtësia minimale për paketat e aksesit në internet me brez të gjerë nuk duhet të jetë më e vogël se 70% e shpejtësisë së reklamuar, ose sa shpejtësia maksimale e paketës më të afërt në radhë, me shpejtësi më të ulët.
Sipas të dhënave nga AKEP, shpejtësia mesatare e aksesit në internet nga linjat fikse në Shqipëri është relativisht e ulët, në raport me mesataren botërore. Në fund të vitit të kaluar, rreth 55% e abonentëve kishin një shpejtësi lidhjeje në intervalin mes 4 dhe 10 Mbps.
Por, këto të dhëna i referohet shpejtësisë maksimale të lidhjes, ndërsa shpejtësia reale zakonisht është më e ulët. Sipas të dhënave të muajit prill 2020 nga portali speedtest.net, shpejtësia mesatare e internetit me linja fikse në nivel global ishte afërsisht 75 Mbps.
Kushte shtesë për transparencën do të kenë edhe operatorët e komunikimeve celulare. Ata do të kenë detyrim që në publikimet dhe reklamat e tyre të tregojnë në mënyrë të qartë që shpejtësitë maksimale të reklamuara janë të mundshme vetëm në kushte të caktuara. Teksti i shënimit sqarues duhet të jetë me madhësi dhe stil të njëjtë me atë që tregon shpejtësinë maksimale të reklamuar.