Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) praktikisht ka “harruar” rregullimin e tregut të telefonisë celulare. Miratimi i analizave të reja të tregut është bërë një odise, që kishte nisur qysh para emërimit të Ilir Zelës në krye të këtij institucioni dhe që nuk përfundoi përgjatë dy viteve të drejtimit prej tij të AKEP.
Analizat e fundit të tregut të telefonisë celulare janë miratuar qysh në vitin 2014, ndërsa me ligj ato duhet të kryhen çdo dy vjet, të shoqëruara nga masat rregullatore përkatëse.
Pas shumë polemikash dhe lobimesh nga operatorët, në prill të vitit të kaluar, Këshilli Drejtues miratoi për konsultim publik analizat e tregut me shumicë të terminimit të thirrjeve dhe të akses-origjinimit të tyre. Por, megjithëse konsultimi publik është mbyllur qysh në qershor 2019, organi drejtues i AKEP ende nuk i ka miratuar analizat finale, së bashku me masat përkatëse rregullatore.
Në analizat e hedhura për konsultim publik vitin e kaluar, AKEP ishte tërhequr përfundimisht nga linja e ashpër rregullatore, e shpallur në fillim të marrjes së detyrës nga Ilir Zela dhe që synonte të targetonte pozitën dominuese të operatorit Vodafone Albania.
Në dokumentin e konsultimit publik, AKEP ka hequr dorë nga diferencimi i tarifave me shumicë mes operatorëve dhe propozonte ruajtjen e simetrisë së plotë mes tyre.
E vetmja dilemë ishte nëse tarifat me shumicë do të qëndrojnë në nivelin 1.22 lekë për minutë, që janë aktualisht, deri në përcaktimin e një metodologjie të re, apo do të ulen në rreth 1.08 lekë për minutë. Në mungesë ta marrjes së një vendimi, tarifat e terminimit kanë qëndruar në 1.22 lekë, çka sigurisht është interesin e tre operatorëve celularë.
Një çështje tjetër ku AKEP është tërhequr është rregullimi i thirrjeve ndërkombëtare hyrëse. Në vitin 2018, AKEP fillimisht pati ideuar vendosjen nën rregullim të këtyre tarifave, por përfundimisht vendosi vetëm detyrimin për mosdiskrimin, që nënkuptonte aplikimin e kushteve të njëta për të gjithë operatorët e huaj. Por, vetëm pak muaj më vonë, AKEP u tërhoq plotësisht duke e anulluar vendimin dhe duke e lënë tregun të parregulluar.
Në analizën e re, AKEP parashtron disa alternativa, që nga ruajtja e derregullimit, siç është sot, deri në rregullimin e plotë.
Mosrregullimi i tarifave ndërkombëtare hyrëse me shumicë vlerësohet se forcon pozitat e operatorëve më të mëdhenj, sidomos të Vodafone Albania. Të ardhurat e larta nga terminimi ndërkombëtar i ndihmojnë operatorët më të mëdhenj për të subvencionuar tarifat e shërbimeve kombëtare, duke iu dhënë rrjedhimisht avantazhe konkurruese ndaj atyre më të vegjël.
Zvarritja e vendimeve për rregullimin e tregut të shumicës dëmton interesat e publikut, në një periudhë kur ulja e konkurrencës ka sjellë rritje të çmimeve për përdoruesit me parapegesë të telefonisë celulare. Pas daljes nga tregu të Plus, tre operatorët e tjerë gradualisht kanë rritur çmimet e paketave mujore.
Në fillim të këtij muaji, Albtelecom shtrenjtoi paketën mujore më të lirë nga 700 lekë në 900 lekë. Që nga data 10 shkurt, të njëjtën gjë do të bëjë edhe Vodafone, gjithashtu me një shtrenjtim prej 200 lekësh të paketës mujore bazë.