20 Maj

0 komente

AKEP fajëson Autoritetin e Konkurrencës për daljen nga tregu të Plus

Autor Ersuin Shehu

20 Maj, 2020

kryesore

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) fajëson Autoritetin e Konkurrencës për daljen nga tregu të operatorit të katërt të telefonisë celulare. Në përgjigje të detyrës së lënë nga Kuvendi i Shqipërisë për të bërë një analizë lidhur me shkaqet e daljes nga tregu të Plus, AKEP shprehet se problemet kryesore sipërmarrësi i ka shfaqur në tregun e shërbimeve celulare me pakicë, treg i cili nuk gjen rregullim nga AKEP, pasi nuk është i përcaktuar në listën e tregjeve për rregullim dhe as në rregulloren e miratuar nga AKEP “Për analizën e tregjeve”.

Sipas AKEP, parimet e përgjithshme të rregullimit në komunikimet elektronike sugjerojnë se përpara se të konsiderohet një ndërhyrje ex-ante duhet vlerësuar nëse masat e mundshme nga zbatimi legjislacionit të konkurrencës janë të mjaftueshme për të adresuar për zgjidhje problemet e tregut. Me këtë konstatim, AKEP lë të kuptohet se Autoriteti i Konkurrencës duhet të kishte marrë masa ndaj operatorit me fuqi të ndjeshme në tregun me pakicë të telefonisë celulare, Vodafone Albania.

Nga ana tjetër, Autoriteti i Konkurrencës prej vitesh po këmbëngul në një qasje të kundërt, duke kërkuar vendosjen nën rregullim të tregut të pakicës nga AKEP, shoqëruar me detyrime ndaj operatorit me fuqi të ndjeshme.

Çështja mes Vodafone dhe Plus ka qenë një nga rastet më të debatuara të hetimit në historinë e Autoritetit të Konkurrencës. Plus denoncoi Vodafone për sjellje antikonkurruese dhe abuzim me pozitën dominuese, duke e mbyllur trafikun brenda rrjetit përmes një diferencimi të qëllimshëm të tarifave mes thirrjeve on-net dhe off-net.

Megjithëse në raportin final Autoriteti i Konkurrencës i dha të drejtë shumicës së pretendimeve të Plus, çuditërisht nuk mori asnjë masë ndaj Vodafone Albania, por adresoi disa rekomandime te AKEP për zgjiedhjen e problemeve të tregut me pakicë. Më kryesor ishte ndalimi për të diferencuar tarifat e thirrjeve on-net – off net, që u pranua nga AKEP dhe u pasqyrua në vendosjen e masave rregullatore për këtë qëllim. Por, në fakt Autoriteti i Konkurrencës shprehet se këto masa duhet të ishin vendosur vetëm ndaj Vodafone Albania dhe jo ndaj operatorëve që nuk kanë fuqi dominuese në tregun me pakicë. Pavarësisht kësaj vërejtje, AKEP ka refuzuar ta ndërmarrë një veprim të tillë.

Megjithëse problematikat e tregut të pakicës së telefonisë celulare ngelen në thelb të ngjashme, me një pozitë të fortë dominuese të Vodafone Albania, AKEP dhe Autoriteti i Konkurrencës vazhdojnë të luajnë ping-pong dhe asnjë prej tyre nuk ka dëshirë të prekë interesat e Vodafone.

Siç evidenton vetë AKEP, Vodafone Albania vitin e kaluar ka duke shënuar rritje në pjesën e tregut për pjesën më të madhe të treguesve krahasuar me vitin 2018. Vodafone zotëron mbi 50 % të pjesës së tregut për përdoruesit e SIM Card; mbi 47 % të pjesës së tregut për përdoruesit e SIM Card aktivë;  mbi 59 % të pjesëve të tregut për volumin e SMS dhe trafikut të internetit; mbi 52% të tregut për trafikun e minutave dhe përdoruesve aktivë të internetit; 54% të tregut për të ardhurat totale dhe 55% për shërbimet me pakicë.

Nga dinamika e fundit e ngjarjeve, duket se dy institucionet po përpiqen të justifikojnë pasivitetin e tyre ndaj këtij problemi duke u përpjekur t’ja lënë zgjidhjen në derë njëri-tjetrit. Me forcimin e pozitës dominuese të Vodafone, tregu është para rrezikut të daljes nga tregu edhe të një operatori të tretë. Albtelecom Mobile vepron me humbje që nga nisja e aktivitetit të vet dhe ndoshta nuk do të kishte mbijetuar, nëse Albtelecom nuk do të kishte një biznes më të rëndësishëm në segmentin e shërbimeve fikse.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes