Që nga 1 korriku i vitit të kaluar, hyri në fuqi faza e parë e uljes së tarifave roaming mes vendeve të Ballkanit Perëndimor ose Roam Like Home + (RLAH+).
Sipas marrëveshjes rajonale, tarifat maksimale për përdoruesit shqiptarë në roaming deri në 1 korrik 2021 do të jenë 28.5 lekë për minutë dhe 9 lekë për SMS.
Tarifat janë rregulluar në euro dhe për vitin e parë konvertimi është bërë sipas kursit 1 euro = 125 lekë. Për fazën e dytë, që fillon në 1 korrik 2020, konvertimi do të bëhet mbështetur në kursin mesatar të tremujorit të parë të vitit 2020.
Deri tani, kursi i euros ka qenë më i ulët krahasuar, çka pritet të sjellë një ulje të lehtë të tarifave roaming të konvertuara në lekë.
Nga 1 korriku 2021 të gjitha tarifat shtesë do të hiqen dhe përdoruesit shqiptarë që përdorin roaming në vendet e rajonit do të paguajnë çmime të njëjta si në Shqipëri.
Por, ndërkohë që tarifat roaming janë rregulluar, ka një paradoks, në kufijtë e absurdit: tarifat standarde të thirrjeve dhe SMS-ve janë më të larta në Shqipëri sesa në roaming.
Në thelb, këto tarifa nuk kanë ndryshuar prej më shumë se 10 vjetësh. I vetmi rregullim u bë në vitin 2014, për të reflektuar vendimin e AKEP që ndalonte diferencimin e thirrjeve brenda rrjetit me ato jashtë rrjetit. Por, kjo solli vetëm njehsim, por jo reduktim të nivelit më të ulët të tarifës standarde të thirrjeve.
Kështu, tarifat standarde thirrjeve sot variojnë nga 29 deri në 39 lekë për minutë, ndërsa mesazhet e shkruara nga 12 deri në 16 lekë për SMS.
Praktikisht, përdoruesit me parapagesë të telefonisë celulare prej pothuajse një dekade nuk komunikojnë më me tarifa standarde, por me paketa.
Operatorët konkurrojnë përmes me paketave, me qëllim sigurimin e një të ardhure të minimale mujore për çdo përdorues, ndërsa tarifat standarde ngelen të pandryshuara.
Ky problem është evidentuar shpesh në vitet e fundit edhe nga Autoriteti i Konkurrencës, që i ka kërkuar shprehimisht AKEP adresimin e tij.
Deri më sot, AKEP jo vetëm që nuk është marrë me këtë çështje, por nuk ka miratuar masa të reja rregullatore në tregun e telefonisë celulare prej rreth gjashtë vjetësh.
Sjellja e AKEP është në shkelje flagrante të ligjit “Për komunikimet elektronike”, që në nenin 31 parashikon se “përcaktimi i tregjeve, analiza e tyre dhe përcaktimi i sipërmarrësve, që kanë fuqi të ndjeshme në treg, në tregjet përkatëse, bëhet nga AKEP-i në mënyrë periodike, por jo më pak se një herë në dy vjet…”