Banka Amerikane e Investimeve do të hyjë së shpejti edhe në tregun financiar jo bankar. Në mbledhjen e datës 27 shkurt, Bordi Drejtues i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare pritet të licencojë shoqërinë më të re administruese të sipërmarrjeve të investimeve kolektive, ABI Invest.
ABI do të bëhet grupi i dytë financiar që hyn në tregun e fondeve të investimeve brenda pak muajsh, pas grupit Albsig, që në fund të vitit të kaluar licencoi shoqërinë administruese, Albsig Invest, së bashku me fondet e investimeve dhe pensioneve private që kompania do të administrojë.
Deri në fund të vitit 2019, në tregun e fondeve të investimeve ishin operative tre shoqëri administruese, Raiffeisen Invest, Credins Invest dhe WVP Fund Management Tirana.
Sidomos për subjektin më të madh në treg, Raiffeisen Invest, menaxhimi i fondeve të investimit deri tani ka rezultuar një aktivitet fitimprurës, falë pjesës së lartë të tregut që kjo kompani zotëron, përmes dy fondeve në lekë dhe një fondi investimesh në euro.
Në fund të vitit 2019, tregu i fondeve të investimeve kishte një vlerë neto të aseteve prej rreth 67 miliardë lekësh ose 550 milionë eurove. Tregu regjistroi një rritje modeste të vlerës së aseteve, me 1%.
Prej disa vitesh, tregu duket se ka arritur një fazë ngopjeje, por, pavarësisht nga kjo, së fundmi ai po tërheq investitorë të rinj. Hyrja e subjekteve të tjerë mund të zgjerojë bazën e investitorëve, që deri më sot nuk e ka kaluar shifrën 30 mijë. Gjatë vitit 2019, kthimet e fondeve në lekë patën një tendencë në rënie.
Të paktën në monedhën vendase, tregu nuk ofron alternativa të tjera investimi, veç bonove dhe obligacioneve të qeverisë shqiptare. Ky është një factor që pengon diversifikimin e portofolit të investimit dhe nuk lejon sigurimin e kthimeve më tërheqëse për investitorët.
Shpresat për t’i dhënë një shtysë të mëtejshme tregut tani janë kryesisht te Bursa Shqiptare e Titujve (ALSE). Listimi në bursë i kompanive private, për të tregtuar titujt e tyre të borxhit ose të kapitalit, do të zgjeronte spektrin e instrumemteve financiarë në treg, duke sjellë edhe potenciale të mëtejshme rritjeje për fondet e investimit.