11 Nëntor

0 komente

A po bëhemi edhe ne një ekonomi koorporatash?

Autor Ersuin Shehu

11 Nëntor, 2019


Numri i bizneseve aktivë në ekonominë shqiptare pësoi rënie për të dytin vit radhazi, ndërsa të dhënat në tërësi dëshmojnë se biznesi i vogël po humbet terren. Të dhënat nga Instituti i Statistikave treguan se për vitin e kaluar, numri i ndërmarrjeve ra me rreth 220 njësi. Përjashtuar fermerët, në Shqipëri janë aktive rreth 107 mijë biznese, që në pjesën dërrmuese janë ndërmarrje të vogla dhe mikro, me më pak se katër të punësuar.

Por, kontributi i ndërmarrjeve të vogla në ekonomi është në rënie, si në qarkullimin që ato realizojnë, ashtu edhe në numrin e njerëzve që punësojnë. Ndërkohë që përbëjnë rreth 88% të numrit të përgjitshëm të ndërmarrjeve, ato realizuan vetëm 11.4% të xhiros, nga 12.1% që kishin në vitin 2017. Edhe pesha në punësim ra në 29.4%, nga 30.4% që zinte për vitin 2017.

Këto të dhëna tregojnë se në ekonominë shqiptare po rritet hendeku mes ndërmarrjeve të mëdha dhe atyre të vogla. Bizneset me më shumë se 50 të punësuar, vitin e kaluar realizuan 48.5% të xhiros në ekonomi, në rritje me dy pikë përqindje krahasuar me një vit më parë. Bëhet fjalë për rreth 1300 ndërmarrje, që përfaqësojnë 1.2% të numrit të përgjithshëm të bizneseve në Shqipëri, por që realizojnë afro gjysmën e shitjeve dhe mbi 70% të investimeve private në ekonomi.

Rritja e peshës së biznesit të madh në teori mund të jetë një tregues se ekonomia shqiptare po e rrit eficiencën e saj. Bizneset e mëdha kanë produktivitet më të lartë dhe kosto më të ulëta për njësi krahasuar me bizneset e vogla dhe mikro.

Ky ristrukturim i ekonomisë shqiptare mund të jetë ndikuar si nga zgjerimi i korporatave në sektorin e shitjeve me pakicë, ashtu edhe nga trysnia në rritje e shtetit për formalizim. Shumë biznese të vogla, sidomos në tregti, mbijetonin në sajë të informalitetit. Me shtimin e presionit për të paguar taksa, mbijetesa e tyre është më e vështirë. Kjo e ka ulur numrin e ndërmarrjeve aktive dhe ka zvogëluar peshën e biznesit të vogël në ekonomi.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes