14 Nëntor

0 komente

90% e Eurobondit të këtij viti do të përdoret për shlyerjen e borxheve të mëparshme

Autor editor

14 Nëntor, 2021

kryesore

Pjesa më e madhe e parave nga emetimi i Eurobondit të këtij viti do të përdoret për rifinancimin e borxheve ekzistuese. Ministria e Financave dhe Ekonomisë do të kërkojë të sigurojë në tregjet ndërkombëtare brenda këtij muaji një hua në shumën e 700 milionë eurove, ose rreth 85 miliardë lekëve. Prej tyre, 34.1 miliardë lekë do të përdoren për mbulimin e pagesave të borxhit të huaj gjatë vitit 2021, ndërsa 42.5 miliardë lekë për mbulimin e pagesave të borxhit të huaj në vitin 2022.

Vetëm 8.5 miliardë lekë do të shkojnë për financimin e deficitit buxhetor që do të krijohet gjatë vitit 2022. Projektbuxheti i vitit 2022 parashikon një deficit buxhetor prej rreth 101 miliardë lekësh ose 5.4% të PBB-së. Ky deficit parashikohet të financohet në masën 50 miliardë lekë nga huamarrja e brendshme dhe 51 miliardë lekë nga financimi i huaj.

Financimi në tregun e brendshëm parashikohet të sigurohet nëpërmjet emetimit të letrave me vlerë. Ndërkohë, financimi i huaj pritet të ndahet në 25 miliardë lekë nga projektet e mbuluara nga financimi i huaj, rreth 17.5 miliardë lekë nga mbështetja buxhetore e partnerëve ndërkombëtarë dhe pjesa e mbetur prej 8.5 miliardë lekësh nga fondet e siguruara nga emetimi pritur i një Eurobondi në tregjet ndërkombëtare në fund të këtij viti.

Eurobondi i këtij viti do të jetë i pesti i emetuar nga qeveria shqiptare që prej vitit 2010, kur u realizua dalja e parë në tregjet ndërkombëtare. Ndërsa dalja e fundit në tregje u krye në qershor të vitit të kaluar, kur i sigurua një huamarrje prej 650 milionë eurosh, me një kupon 3.5%. Fillimisht, emetimi i Eurobondit të radhës ishte parashikuar vitin e ardhshëm. Por, vala inflacioniste që ka goditur ekonominë botërore në muajt e fundit ka krijuar pritshmëri për një rritje të afërt të normave të interesit.

Për këtë arsye, qeveria shqiptare ka vendosur ta kryejë emetimin që këtë vit, me shpresën për të përfituar kushte më të favorshme financimi. Ekspertët mendojnë se kuponi i obligacionit që pritet të emetohet së shpejti gjithsesi do të jetë më i ulët krahasuar me atë të qershorit 2020, kur tregjet ishin ende në ndikimin e valës së parë të pandemisë.

Banka e Shqipërisë ka paralajmëruar se rritja e huamarrjes në valutë të huaj ekspozon borxhin publik jo vetëm ndaj rrezikut të normave të interesit, por dhe ndaj rrezikut të luhatjeve të pafavorshme të kursit të këmbimit. Në fund të muajit shtator të këtij viti, borxhi në vazlutë të huaj kishte vlerën e barazvlefshme të 600 miliardë lekëve dhe përbënte rreth 47% të totalit të borxhit publik të Shqipërisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes