OTP rimori “fronin” e bankës më fitimprurëse në sistemin bankar shqiptar në tremujorin e dytë të vitit. Mbështetur në të dhënat nga Shoqata Shqiptare e Bankave, OTP e mbylli 6-mujorin 2020 me një kthim nga kapitali (përshtatur me bazë vjetore) në nivelin 25.73% (nga 23.06% në fund të tremujorit I) dhe me një fitim neto në vlerën e afërsisht 1.1 miliardë lekëve. OTP ishte një ndër bankat e pakta që regjistruan fitime të qëndrueshme edhe në tremujorin e dytë.
Në fakt, në raportimin sipas Standardeve Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (IFRS), pjesa më e madhe e bankave pësuan një rënie të rezultatit financiar në tremujorin e dytë. Në raportimin paralel, që bëhet për qëllime të mbikëqyrjes bankare, efektet kanë qenë më të pakta, sepse Banka e Shqipërisë i ka pezulluar kërkesat për privigjionim të kredive, pas moratoriumit të vendosur në muajin mars.
Por, në raportimin sipas IFRS bankat kanë reflektuar efektet e krizës së Covid-19 në modelet e tyre të provigjionimit. Kjo ka ulur ndjeshëm fitimet për tremujorin e dytë. Në raportimet me IFRS, pesë nga dymbëdhjetë banka e mbyllën tremujorin e dytë të vitit me humbje. Rezultatin më negativ për tremujorin e dytë e raportoi Alpha Bank.
Sidoqoftë, rezultatet progresive të gjashtëmujorit ngelen përgjithësisht pozitive dhe 10 prej bankave ishin fitimprurëse. Pas OTP Bank, kthimin e dytë më të lartë nga kapitali e ka raportuar Fibank, në nivelin 16.77%, me një fitim neto prej 284 milionë lekësh. Dy bankat e tjera që në mesin e vitit kishin një kthim dyshifror nga kapitali ishin BKT, me 14.42% dhe ABI Bank, me 10.48%. Shumica e bankave të tjera kanë ruajtur kthime pozitive, megjithë rezultatet në rënie gjatë tremujorit të dytë.
Banka | Kthimi nga kapitali |
OTP Bank | 25.73% |
Fibank | 16.77% |
BKT | 14.42% |
ABI Bank | 10.48% |
Tirana Bank | 9.93% |
Union Bank | 7.21% |
Raiffeisen Bank | 6.61% |
Intesa Sanpaolo | 5.45% |
Credins Bank | 3.81% |
Alpha Bank | 3.42% |
UBA Bank | -1.6% |
ProCredit Bank | -20.2% |
Të vetmet banka me humbje deri tani për vitin 2020 janë ProCredit Bank dhe Banka e Bashkuar e Shqipërisë.
Banka | Fitimi neto (milionë lekë) |
BKT | 3 363 |
OTP Bank | 1 070 |
Raiffeisen Bank | 923 |
Intesa Sanpaolo | 588 |
ABI Bank | 500 |
Tirana Bank | 477 |
Credins Bank | 377 |
Fibank | 284 |
Union Bank | 192 |
Alpha Bank | 155 |
UBA Bank | -12 |
ProCredit Bank | -303 |