Numri i abonentëve me kontratë të telefonisë celulare ka arritur në nivelet më të larta të regjistruara ndonjëherë. Të dhënat nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) tregojnë se në tremujorin e tretë 2020 përqindja e përdoruesve me kontratë arriti në pothuajse 22% të përdoruesve aktivë të telefonisë celulare në vend.
Në vlera absolute, kjo përkthehet në rreth 533 mijë përdorues që e marrin shërbimin e komunikimit të lëvizshëm me kontratë. Ky vlerësohet të jetë niveli më i lartë që nga fillimet e shërbimit të telefonisë celulare në vend.
Si peshë specifike, përdoruesit me kontratë arritën në gati 23% të totalit në tremujorin e dytë të vitit, ndërsa në tremujorin e tretë pesha e tyre pësoi një rënie të lehtë, të lidhur me shtimin e përdoruesve të përkohshëm me parapagesë gjatë sezonit veror.
Në Shqipëri dhe në shumicën e tregjeve të tjera përdorimi i telefonit celular historikisht është përmes parapagimit. Kjo ka pasur si qëllim shmangien e rreziqeve të mosshlyerjes së detyrimeve nga pajtimtarët.
Në fillimet e veta shërbimet e telefonisë celulare kanë qenë shumë më të shtrenjta se alternativat fikse të komunikimit dhe mospagesa e detyrimeve mund t’i vendoste operatorët përballë riskut të krijimit të borxheve të këqija në shuma të mëdha. Për këtë arsye, marrja e shërbimit me kontratë kërkonte lënien e një garancie financiare nga përdoruesit.
Përgjithësisht, shërbimet me kontratë dominoheshin nga grupet e kompanive tregtare dhe kjo kategori sillte të ardhura më të larta për operatorët celularë krahasuar me të ardhurat mesatare prej përdoruesve me parapagesë.
Por, me uljen graduale të tarifave dhe të kostove mujore të komunikimit, marrja një numri me kontratë është thjeshtuar. Pajtimet mujore të parashikuar në kontrata janë në nivele të ngjashme me çmimet e paketave mujore me parapagesë.
Numrat mund të merren pa garanci ose maksimalisht me garanci në vlerën e një pajtimi mujor, në varësi të politikave të operatorëve. Kompania me peshën më të lartë të përdoruesve me kontratë është Vodafone Albania, me mbi 26% të totalit, e ndjekur nga Albtelecom Mobile me rreth 22% dhe One me 16%.
Sipas të dhënave më të fundit të AKEP, çdo përdorues i telefonisë së lëvizshme kryen mesatarisht 187 minuta thirrje çdo muaj, dërgon 20 mesazhe të shkruara dhe shpenzon rreth 4 Gb internet nga telefoni i tij celular.