23 Prill

0 komente

5 mijë italianë hynë në Shqipëri në muajin mars

Autor editor

23 Prill, 2020


Përhapja e COVID 19 dhe mbyllja e kufijve e uli në mënyrë drastike turizmin hyrës në Shqipëri për muajin mars. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, për muajin mars në Shqipëri hynë 95 mijë shtetas të huaj, në rënie me 66% krahasuar me të njëtën periudhë të vitit të kaluar. Këto hyrje i takojnë kryesisht pjesë së parë të marsit, para se kufijtë të mbylleshin për shkak të epidemisë.

Pavarësisht kësaj, vetëm në mars në Shqipëri hynë afro 5 mijë shtetas italianë, në një kohë kur Italia ishte tashmë një vatër e nxhetë e përhapjes së Covid. Këtu duhen shtuar edhe disa mijëra shtetas shqiptarë të kthyer nga Italia, por numri i saktë i tyre nuk dihet, sepse në publikimin e Instat hyrjet dhe daljet e shqiptarëve nuk detajohen sipas shteteve.

Shifrat tregojnë qartë se mbyllja e kufijve me Italinë ka qenë shumë e vonuar dhe ky u bë një burim i përhapjes së Covid 19 në Shqipëri.

Për tremujorin e parë të vitit bilanci i turizmit hyrës në Shqipëri rezultoi negativ, me një rënie prej 17.5% të hyrjeve të shtetasve të huaj. Paralelisht, edhe daljet e shtetasve shqiptarë jashtë vendit ranë me 12%.

Megjithëse qeveria po përpiqet të mbajë gjallë shpresat e sektorit të turizmit se sezoni veror mund të shpëtohet, gjasat për një sezon sadopak afër normalitetit duken të pakta. Nëse koronavirusi do të vazhdojë të infektojë edhe gjatë muajve të verës, turizmi bregdetar do të paraqiste një shkallë të lartë rreziku.

Nga ana tjetër, pjesa më e madhe e Europës është nën efektin e masave kufizuese për shkak të pandemisë së Covid 19. Edhe nëse këto masa do të fillojnë të hiqen gradualisht gjatë muajit maj, udhëtimet jashtë kufijve për turizëm priten të jenë të kufizuara, qoftë edhe për shkak të traumës psikologjike të shkaktuar nga epidemia.

Në vitet e fundit, turizmi ka qenë një nga burimet e rëndësishme të rritjes së ekonomisë shqiptare. Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, vitin e kaluar turistët e huaj shpenzuan pothuajse 2.1 miliardë euro në vendin tonë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes