Bllokimi i aktivitetit normal ekonomik për shkak të virusit Covid 19, mes të tjerash, mund të krijojë probleme në mundësinë e shlyerjes së huave që individët dhe bizneset kanë marrë në institucionet financiare.
Të enjten, Banka e Shqipërisë mori disa vendime që synojnë të lehtësojnë shtyrjen e përkohshme të kredive nga bankat dhe nga institucionet financiare. Procedurat që do të ndiqen ende nuk janë plotësisht të qarta, megjithatë problemi në vetvete prek një numër shumë të madh shqiptarësh.
Mbështetur në të dhënat e Instat, të dhënat më të fundit për numrin e huamarrësve në sistemin bankar shqiptar i takojnë fundit të vitit 2018. Sipas këtyre të dhënave, numri i huamarrësve është rreth 472 mijë, ndërsa numri total i huave rreth 906 mijë.
Duke parë tendencën në rritje të portofolit të kredisë, besohet se edhe numri i huamarrësve dhe i kredive të jetë rritur edhe më shumë gjatë vitit të kaluar.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit 2019 vlera e portofolit të kredisë për ekonominë shqiptare arriti në rreth 571 miliardë lekë.
Raporti i kredive me probleme zbriti në 8.3%, niveli më i ulët që prej vitit 2009. Nëse situata e krijuar nga virusi Covid 19 do të zgjasë në kohë, ajo mund të japë një efekt negative edhe në cilësinë e portofolit të kredisë.
Banka e Shqipërisë ka lënë të kuptohet se nuk do të kërkojë riklasifikimin e kredive që do të ristrukturohen përgjatë këtyre tre muajve. Por, kjo situatë mund të japë një ndikim edhe më afatgjatë, sidomos në sektorë të veçantë.
Një nga sektorët që pritet të pësojë një goditje më të drejtpërdrejtë është turizmi. Fakti që sindroma Covid 19 po shtrihet në pjesën më të madhe të Europës do të kufizojë lëvizjet e shtetasve për qëllime turizmi për muaj me radhë, duke përfshirë këtu edhe sezonin veror.
Sektorët më të rëndësishëm në eksportin e mallrave dhe shërbimeve, si fasoneria apo call-center, gjithashtu pritet të vuajnë një efekt të ndjeshëm, për shkak të varësisë së lartë nga marrëdhëniet e biznesit me Italinë.
Mbështetur në të dhënat e Instat, Italia është importuesi kryesor i mallrave shqiptare me 143 miliardë lekë ose rreth 63% të eksporteve totale. Grupet kryesore të mallrave që eksportojmë drejt Italisë janë “tekstilet dhe këpucë” dhe “materiale ndërtimi dhe metale”.