Llogaritë e lidhura me shërbimin e internet banking u rritën me ritme dyshifrore edhe për vitin 2019. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, numri i llogarive bankare të lidhura me internetin arriti në afërsisht 442 mijë, në rritje vjetore me 11% ose rreth 43 mijë llogari më shumë.
Përdorimi i internet banking është rritur për të njëmbëdhjetin vit radhazi, ndërkohë që vetëm në harkun e pesë viteve të fundit, numri i llogarive të aksesueshme nga internet është pesëfishuar.
Statistikat tregojnë se rreth 89% e llogarive të lidhura me internetin i takojnë individëve. Si raport i thjeshtë i llogarive me numrin e përgjithshëm të popullsisë, vlerësohet se në Shqipëri shërbimet e internet banking i përdorin rreth 15.5% e popullsisë, në rritje të ndjeshme prej nivelit 14% të vitit 2017.
Shërbimi i internet banking ofrohet tashmë nga 11 prej 12 bankave tregtare në Shqipëri. Me rritjen e rëndësisë së teknologjisë në shoqëri, bankat po vendosin më shumë fokus në promovimin e këtyre shërbimeve si kanal alternativ për marërdhëniet me klientët.
Një pjesë e tyre i ofrojnë shërbimet e internet banking pa pagesë, për t’i nxitur klientët t’i përdorin më shumë ato. Megjithatë, një studim i publikuar në muajin janar nga Shoqata Shqiptare e Bankave, evidentoi se kanali kryesor i marrëdhënies me bankën për shqiptarët ngelet kontakti direkt me degët dhe bankomatet. 91% e të anketuarve kanë si formën më të shpeshtë të marrëdhënies me bankën kontaktin direkt, ndërsa vetëm 17% kanë si kanal kryesor internet banking.
Potencialet për të rritur përdorimin e teknologjisë në shërbimet financiare janë ende të mëdha, po të kemi parasysh të paktën 62% e shqiptarëve janë përdorues të internetit përmes rrjeteve celulare. Por, ndërkohë, anketimet paralele kanë treguar se vetëm 40% e shqiptarëve në moshë madhore zotërojnë llogari bankare, çka dëshmon nevojën ende të lartë për të rritur edukimin financiar dhe formalizimin e ekonomisë.