Mpakja e popullsisë së Shqipërisë vazhdoi edhe për vitin 2019. Sipas të dhënave të Instat, popullsia u pakësua me 0.6% gjatë vitit dhe zbriti në 2.85 milionë banorë. Popullsia e vendit vazhdon të gërryhet nga migracioni dhe nga ulja e rritjes natyrore.
Për vitin e kaluar, migracioni neto e pakësoi popullsinë e vendit me 23 mijë banorë. Ndërkohë, shtesa natyrore e popullsisë ishte pak më shumë se 6600 banorë, në rënie me 7% krahasuar me vitin 2018.
Tkurrja e popullsisë po vijon paralelisht me plakjen e saj. Në fillim të këtij viti, mosha mesatare u rrit në 37.2 vjeç, nga 36.7 vjeç është kishte qenë një vit më parë. Tashmë, individët mbi 65 vjeç përbëjnë 21.6% të popullsisë, nga 20.5% që ishin një vit më parë.
Plakja e popullsisë është rrjedhojë e uljes së lindjeve, por edhe e faktit që emigracioni përfshin kryesisht popullsinë në moshë të re.
Pakësimi i popullsisë dhe plakja e saj janë një shqetësim i madh edhe për të ardhmen ekonomisë së vendit. Këto fenomene zvogëlojnë tregun, potencialin e konsumit dhe forcën e punës, duke ndikuar negativisht potencialet e rritjes ekonomike të vendit.
Rritja e moshës mesatare gjithashtu shtron një problem të madh për sistemin e pensioneve, me gjithnjë e më shumë të moshuar që duhen paguar dhe me gjithnjë e më pak individë në moshë pune që të kontribuojnë.
Që nga viti 2019, Shqipëria vendosi bonuse për lindjet, që fillojnë nga 40 mijë deri në 120 mijë lekë. Por, kjo masë e vetme duket shumë pak për të frenuar rënien e lindjeve dhe plakjen e popullsisë. Vitin e kaluar numri i lindjeve pësoi sërish rënie, me 1.3% më pak krahasuar me vitin 2018.
Trysnia nga emigracioni është gjithashtu një fenomen në rritje. Instat vlerëson se vetëm për vitin e kaluar afro 44 mijë shqiptarë lanë vendin për të emigruar.
Kërkesat e tregut në Bashkimin European dhe më gjerë po joshin gjithnjë e më shumë të rinj shqiptarë të largohen. Qysh tani ka nisur të shtrohet skenari i tërheqjes së forcës së punës nga jashtë. Vitin e kaluar, migracioni neto u ngushtua nga ardhja e rreth 21 mijë imigrantëve të huaj në vend.